Janë identifikuar dy burra të moshuar armenë, të cilëve u ishte prerë koka nga forcat azere dhe pamjet ishin publikuar në video që u shpërndanë shumë në aplikacione për mesazhe.
Banorët e fshatrave nga vinin këta dy burra thanë se ata nuk ishin duke marrë pjesë në luftën e Nagorno-Karabakut. Të dyve iu hoq koka nga disa persona që ishin të veshur me uniforma të ushtrisë azere.
Videot e shkurtra janë pjesë e një vargu pamjesh të tmerrshme, të cilat paraqesin torturë, abuzim dhe vrasje që kanë ndodhur gjatë luftimeve që zgjatën gjashtë javë dhe që përfunduan me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia.
Dëshmia e fshatarëve për gazetën The Guardian e përforcon identifikimin e bërë nga një avokat për të drejtat e njeriut, të angazhuar nga qeveria lokale, dhe dy avokatë armenë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilët po përgatisin padi për këto vrasje.
Në videot e publikuara në internet më 22 nëntor dhe 3 dhjetor, burrat në uniformë të ushtrisë azere e mbajnë në tokë dhe ia heqin kokën një burri përmes një thike. Njëri prej tyre pastaj e vendos kokën e personit të ekzekutuar mbi një kafshë të ngordhur. “Kështu marrim hak ne – duke hequr koka”, dëgjohet një zë prapa kamerës.
Dy banorë të fshatit Madatashen në Nagorno-Karabak e identifikuan viktimën si Genadi Petrosyan, 69 vjeç, i cili ishte vendosur në këtë fshat në fund të viteve të tetëdhjeta nga qyteti Sumgait në Azerbajxhan.
Organizata “Amnesty International” u ka bërë thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit që t’i hetojnë videot ku shihet heqja e kokave. Ndonëse të dyja palët e konfliktit shihen të përfshira në pamjet e tmerrshme të konfliktit, programet e internetit kanë më shumë video ku trupat armene dhe civilët armenë shihen duke u abuzuar nga trupat azere.







