Mahmut Halimi

“E telefonuan nga MINT, në zyrë e priti Rozeta Hajdari”, avokati tregon si angazhua Ridvan Muharremi për grurin

Avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, ka folur për çështjen e rezervave të shtetit, gjë për të cilën edhe klienti i tij ndodhet në paraburgim.

Halimi ka treguar se Ridvan Muharremit i kishte shkuar një telefonatë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në fillim të vitit 2022 ku i kanë thënë se kanë nevojë për të.

Avokati thotë se pasi ka shkuar në MINT, në recepsion e kanë drejtuar për tek zyra e ministres Rozeta Hajdari, e cila ka qenë bashkë me këshilltarin e saj, dhe sipas avokatit Halimi kanë qenë edhe dy persona të tjerë, që sipas tij dyshohet të kenë qenë dy ta pandehurit e tjerë.

Avokati në FRONTAL të T7 thotë se aty ministrja i ka treguar se kanë nevojë për ndihmën e tij në sigurimin e sasisë së grurit, meqë ishte një kohë kur Turqia kishte vendosur embargo.

“ Sipas shpjegimeve të tij dhe rrethanave tjera, rezulton se diku janar-shkurt-mars 2022, është ftuar nga dikush nga telefoni. Janë prezantuar se janë nga MTI-ja dhe se kemi nevojë të takohemi me ty. Pyet me kënd jam duke biseduar, por i thonë se kur vini në Ministri prezantohemi. Ka shkuar në Ministri, e kanë marrë personat dhe e kanë dërguar në zyrën e zonjës ministres Rozeta Hajdari. Aty kanë qenë këshilltari  ministres dhe dy personat tjerë, që dyshohet se janë dy të pandehurit e tjerë. Kanë biseduar se kanë nevojë për sigurimin e grurit, meqë rezervat e shtetit janë zero. Kanë qenë zero mall dhe 300 mijë euro të holla.

Dhe i kanë shpjeguar se për shkak të luftës në Ukrainë, bota sa i përket furnizimeve me gjëra ushqimore, pothuajse ka hyrë në gjendje lufte”, ka thënë Halimi në FRONTAL të T7.

Ai tutje ka treguar se si klienti i tij Ridvan Muharremi kishte arritur që përmes një ndërtimtari turk që ka qenë në Kosovë kanë arritur të gjejnë për të blerë grur në Turqi.

Avokati Halimi thotë se për të gjitha lëvizjet që Ridvan Muharremi ka bërë e ka njoftuar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që drejton ministrja Rozeta Hajdari.

“Ka qenë e pamundur nga ana e ministrisë që ta gjejnë një treg për t’u furnizuar. Edhe vetë e ka shtruar pyetjen z.Ridvan, se ka i kanë marrë këto informata ministria. Thotë kemi informata dhe thotë të lutem se është nevojë e domosdoshme, po kërkojmë ndihmën tënde. I kanë thanë vetëm kemi informata, dhe mos pyet më andej. Edhe pse ky e ka shtru pyetjen, por nuk ia kanë dhënë emrin. Ky thotë se po e konsideroj privilegj të madh këtë besim. Thotë se është shumë vështirë, por do të përpiqem përmes lidhjeve të mija. Z.Ridvan si 22 vjecar, ka arritur që ta sjell Samsungun në Jugollsavi. Ka qenë përfaqësues gjeneral i Samsungut. Pas një viti e gjysmë e solli selinë në Prishtinë. Vendos të bisedoj me pronarin e një kompanie, që për një vit e gjysmë apo dy, ka qenë pjesë e ndërtimtarisë së “Prishtina Mall’. Ai pronar ka ardhur shumë shpesh, sepse z.Ridvan flet disa gjuhë, anglishten dhe turqishten perfekt e flet.

Pasi ka shkuar nga ministria e ka ftuar në takim. Ulën në drekë dhe i thotë se ka çështjen për nevojat e shtetit. Ai i thotë se për një vit e gjysmë jam në Kosovë dhe kam kaluar shumë kohë në restorantin tand dhe mikpritjen tëndë s’e harroj kurrë.

Ai i ka thënë se unë nuk merrem me tregtinë, por që kam disa miq në Turqi dhe për shkak të kësaj miqësie, të ftoj të jesh mysafir i imi në Turqi. S’ke nevojë të shpenzosh fare. Ndërkohë do të kontaktoj me miqtë e mi që merren me tregtinë e gjërave ushqimore, për drithë është fjala. Për gjithçka kur ka filluar kontakti i parë lidhur me gjetjen e tregut të grurit. Kjo kompania që po përmendet këtu, është e katërta. Përmes disa lidhjeve ky turku, kanë arrit që me i bind me u përpjek me siguru një sasi të grurit. Vazhdimisht kanë komunikuar me ministrinë. Me kryeministrinë s’ka pas lidhje, por me përfaqësuesin e MINT”, ka thënë avokati Halimi.