E pafalshme, pronari i restorantit në Sarandë i rrah keq turistët spanjoll. Klosi u kërkon falje (VIDEO)

Arrestohet nga policia e Sarandës shtetasi Mihal Kokëdhima, pronar i restorantit “Panorama” në Porto-Palermo të Himarës.

Arrestimi i tij ka ndodhur pas ngjarjes së të enjtes, ku pas një konflikti në biznesin e tij ndoqi nga pas dhe sulmoi grupin e turistëve spanjollë.

Sipas policisë, në pranga është vënë shtetasi Mihal Kokëdhima, 51 vjeç, banues në Sarandë.

“Në lokalin e tij Bar-Restorant në Porto Palermo të Himarës, shtetasi Mihal Kokëdhima, për motive të dobëta, ka kanosur me fjalë një grup turistësh spanjollë dhe më pas ka dëmtuar mjetin e transportit privat të tyre dhe është konfliktuar fizikisht me ta duke u shkaktuar dëme në trup, por më shumë është dëmtuar shtetësia spanjolle K.R”- njofton Policia Shqiptare.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprat penale “Kanosje”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”. Dhunimi i një familjeje turistësh spanjollë nga pronari i një lokali në Himarë është një nga episodet e rënda të këtij sezoni ku jo vetëm se u cenua jeta e turistëve që zgjedhin Shqipërinë, por edhe imazhin e këtij vendi në sytë e të huajve.

Shkak për këtë ngjarje të rëndë për turizmin shqiptar, sipas raportimeve, ishte refuzimi që familja spanjolle i bëri shërbimit të keq. Pesë turistët dhe dy shoqëruesit shqiptarë u larguan nga lokali, por sipas policisë u ndoqën dhe u dhunuan nga pronari i biznesit që i kishte ndjekur më pas. Më e dëmtuar mbeti një prej anëtarëve të familjes që kishte mbërritur me jaht në Sarandë. Ata morën ndihmën e parë në spital dhe më pas janë larguar nga spitali, ndërsa kanë denoncuar dhe rrëfyer të gjithë ngjarjen në polici.

Grupi i turistëve spanjollë kishin mbërritur me jaht dhe po vizitonin jugun e Shqipërisë, por pas incidentit ata nuk pranuan të prononcoheshin. Një ditë pas ngjarjes familjen e turistëve të huaj në Sarandë e takoi ministri i Turizmit, Blendi Klosi, i cili u kërkoi ndjesë në emër të Qeverisë Shqiptare. Ai tha se ngjarje të tilla janë të papranueshme. Ministri Klosi shprehet, mes të tjerash, se ajo që përjetuan pushuesit spanjollë nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve.

“Në mëngjes me familjen e pushuesve nga Spanja, që dje përjetuan një eksperiencë konflikti në Himarë, që nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve. Por, siç e tha edhe përfaqësuesi i familjes Galdon, një njeri i vetëm nuk përfaqëson Shqipërinë, sikundër vlerësoi reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe interesimin e drejtpërdrejtë të Qeverisë”, shkruan Klosi.

loading…