E pafalshme: Institucionet e Kosovës bojkotojnë konferencën unike mbi gjenocidin serb ndaj shqiptarëve

Ardian Muhaj, nga Instituti Historik i Kosovës, i ka kritikuar ashpër institucionet e Kosovës, pasi që sipas tij nuk ka gjetur kohë që të paktën një përshëndetje ta bëjnë për mbajtjen e një konference të rëndësishme për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve.

‘Sot dhe nesër në Prishtinë po mbahet një konferencë shumë e rëndësishme dhe unike mbi gjenocidin serb ndaj shqiptarëve përgjatë dy shekujve të fundit… Një bashkëpunim i mirëpritur mes Institutit të Historisë në Prishtinë, Institutit të Historisë në Tiranë dhe Institutit Albanologjik në Prishtinë. Asnjë përshëndetje as “punë e mbarë” zyrtare nga asnjë prej institucioneve që paguhen me taksat e qytetarëve të Kosovës dhe që i kanë zyrat dy minuta prej vendit ku po zhvillohet konferenca’, ka shkruar Muhaj.

Ai thotë se nuk i din arsyet e bojkotimit të kësaj tematike nga institucionet politike.

‘Vetëm ia vlen me e ditë se më 24 mars kur serbët përkujtuan me lot krokodili viktimat e sulmit të NATO-s në pranverën e vitit 1999, ishte i pranishëm përkrah presidentit të Serbisë Vucic edhe lideri serbo-boshnjak Milorad Dodik edhe pse ato sulme nuk kishin ndodhë në Bosnje. Shpjegimi i vetëm mbetet që ndërkohë serbët nuk kanë turp me qa viktimat e shpikura, ne përtojmë me përkujtu edhe tragjeditë reale’, ka shkruar në fund Muhaj