E pabesueshme, por e vërtetë | Aksionet e Kurtit në veri të Kosovës vetëm për ta zbatuar marrëveshjen e Hashim Thaçit që e quante tradhti

Disa minuta para mesnatës, Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe për një muaj, nëse serbët lokalë në veri të Kosovës largojnë më 1 gusht barrikadat e vendosura në rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Kjo tërheqje e Kurtit erdhi pas presionit ndërkombëtar, respektivisht kërkesës së SHBA-ve që për një muaj të shtyhet zbatimi i vendimit, shkruan Demokracia.com.

Më 31 korrik, serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera rrugët në veri, si shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, të datës 29 qershor.

Këto vendime parashohin lëshimin e dokumentit të posaçëm për hyrje/dalje në Kosovë për ata persona që posedojnë dokumente serbe.

Këtë praktikë është duke e zbatuar Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës me vite të tëra.

Vendimi i dytë ka të bëjë për targat me akronime të qyteteve të Kosovës, të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë.

Këto targa, Kosova i konsideron ilegale dhe deri më tani janë parë vetëm në veri të vendit.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011 në Bruksel, në kohën kur kryeministër ishte Hashim Thaçi. Këtë marrëveshje, Kurti dhe Lëvizja e tij aso kohe e quanin tradhti kombëtare dhe zotoheshin se nuk do ta zbatonin asnjëherë.

Sipas kësaj marrëveshje, të cilën tash po tenton ta implementoi Albin Kurti, targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë), janë hequr. Domethënë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen sërish me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral – KS (Kosovë).

“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Por, pavarësisht saj, në katër komuna në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të hyjnë në territorin e Serbisë me targa RKS, pa shpenzime. Ata është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme. Kështu që, me marrëveshje, Kosova është detyruar që edhe për pesë vjet të tjerë të lëshojë targa KS, të cilat Serbia i ka pranuar.

Marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes, e vitit 2011, është finalizuar në Bruksel më 14 shtator, 2016, kur Kosova ka rënë dakord që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet.

Periudha pesëvjeçare ka përfunduar më 15 shtator, 2021.

“Ky ka qenë afati i fundit për heqjen dhe përdorimin e këtyre targave, si dhe të targave me shkurtesat KM për Mitrovicën, PR për Prishtinën, UR për Ferizajn, PZ për Prizrenin dhe GL për Gjilanin”, kishte thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 20 shtator. Ai ka thënë se këto targa do të konfiskohen. Mirëpo, kur jemi afër shtatorit të vitit 2022, gati një vit nga kjo deklaratë e Kurtit, në terren gjendja veçse është përkeqësuar edhe më shumë. Serbët vazhdojnë t’i përdorin targat e lëshuara nga MPB-ja e Serbisë. /Demokracia.com/