E mbani mend Drenthen? Mbrojtësi holandez tregon eksperiencën te Reali

Pritej të ishte një nga futbollistët më të mirë në qarkullim dhe në vitin 2007, kur sapo kishte mbushur 20 vjeç, iu bashkua Real Madridit, por karriera e Royston Drenthes erdhi në rënie, deri sa mbeti pa ekip përreth një sezon e gjysmë.

Megjithatë verën e kaluar holandezi arriti të sigurojë një kontratë në atdheun e tij, pikërisht te Sparta e Rotterdamit, ndërsa në një intervistë për sajtin sportiv “FourFourTwo”, dha një intervistë ku tregoi detaje nga karriera e tij në Madrid.

“Në vitin 2007 isha shumë i lumtur, pasi mësova se plot 16 klube kishin shfaqur interes konkret për mua. Takova presidentin e Barcelonës, Laporte, por edhe drejtuesin e realit, Mijatovic dhe duhet thënë se ofertat ishin pak a shumë në të njëjtat kushte, por unë zgjodha klubin ‘merengues’”, tregon Drenthe.

Anësori holandez theksoi se ishte pritur mjaft mirë te Reali, në ditët e tij të para, ndërsa zbuloi se kishte ndërtuar një raport mjaft të mirë edhe me Robinhon, duke treguar disa detaje interesante.

“Kur shkova te Reali, Guti më priti në mënyrë të jashtëzakonshme dhe më mbajti afër. Më pas ishte edhe Robinho, me të cilin shoqërohesha shumë. Braziliani kishte përshtatur bodrumin e shtëpisë së tij në një mini-club nate dhe dëfreheshim vazhdimisht. Atëherë ishte një grup me lojtarë ekspertë, si Guti, Raul, Van Nistelrooy, por edhe të rinj si unë, Marcelo, Higuain e Gago”, tha holandezi.

Megjithatë eksperienca e Drenthes në Madrid nuk shkoi ashtu si ai e kishte pritur, ndërsa në intervistë holandezi zbuloi se për shkak të preferencave të Valdanos, te Reali kishin vendosur t’i besonin më shumë Marcelos.

“Besoja se do të luaja shumë, pasi në fakt nuk kishte arsye pse të më linin jashtë, por ata vendosën të besojnë te Marcelo, me gjasë sepse i pëlqente shumë Valdanos. Kur erdhi Mourinho në 2010-ën, pasi kishte fituar tripletën me Interin, më takoi dhe më tha se do të më jepte besim, por vetëm pak ditë më vonë, Valdano këmbënguli që të huazohesha”, tregoi mbrojtësi Royston Drenthe.