“E kam plagosur shokun më të ngushtë”, Berisha thotë se Shaban Gogaj pasi kreu vrasjen kapi kokën me duar

Besnik Berisha, avokat i Shaban Gogajt që po akuzohet për vrasjen Agonis Tetajt dy vjet më parë, ka thënë se vrasja ka qenë aksidentale.

Ai po thotë se videoja e publikuar po shfaq vetëm një kënd të ngjarjes dhe se i është bërë padrejtësi Gogajt me publikimin e saj.

Nga këndi tjetër, Berisha po thotë se është videoja që e shfaq Gogajn derisa kap kokën me dorë dhe kërkon ndihmë duke bërtitur.

“Videoja tjetër që e shfaq të akuzuarin duke e kapur kokën me duar, duke u grithur dhe duke u gjunjëzuar për atë që ndodhi. Gogaj shkoi në stacion të policisë dhe tha “kuku e kam plagosur shokun më të ngushtë””.

Avokati Berisha tha se askush që kryen vrasje me qëllim nuk e bën këtë.

Po ashtu, Berisha ka treguar se Gogaj atë ditë kishte në plan të bënte një festë të fejesës ku pritej të merrte pjesë edhe tanimë i ndjeri, Agonisi. Për këtë arsye, ai thotë se videot tjera i shfaqin edhe të akuzuarin edhe të ndjerin duke qeshur bashkë edhe me kolegët tjerë.

Por si ndodhi ngatërrimi i armëve nga ana e Shaban Gogajt, sipas Berishës?

“Arma e vërtetë me të cilën është shkrepur plumbi tragjik për familjen Tetaj dhe gjithashtu edhe për familjen Gogaj është vënë vetëm një natë përpara kur është mbyllë sirtari vetëm një natë më parë. I akuzuari ka pasë të fejohet atë natë dhe axha i tij fillimisht ishte nisur të shkojë në shtëpi me revolen me gaz me shkrepë dy-tre fishekë, sipas traditave që ne disa e quajmë edhe budallaki, meqenëse në revolen me gaz ka qenë një fishek me gaz –ai e ka lënë revolen me gaz në vendin e njëjtë ku ishte ajo e vërtetë sepse në të njëjtin sirtar kanë qenë të dyja dhe e tërheq revolen me gaz dhe e vë në çantën e revoles së vërtetë dhe revolen e vërtetë e merr me vete. Gjatë rrugës e thërrasin dhe i thonë të shkojë në zyre dhe kthehet dhe e lë në sirtar. Pra e lë mbi revolen me gaz, e cila ishte e vendosur në çantë. Atë ditë pritej që i akuzuari të dilte në bjeshkë dhe të festonte me familjen. Edhe i ndjeri pati plan që të shkojë në bjeshkë”.