Varreza masive

E dhimbshme: Rrëfimi mes lotësh i dëshmitarëve që gjetën në varreza masive familjarët e vrarë nga forcat serbe

Me dëgjimin e dy dëshmitarëve ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor në gjykimin ku personat me iniciale Z. K. dhe D. Sh., akuzohen për krime lufte ndaj popullatës civile më vitin 1999 në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizajt.

Të dëmtuarit F.N dhe F. N. gjatë seancës së mbajtur të premten janë dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ata gjatë kësaj seance, rrëfyen tmerrin që kishin përjetuar natën e 26 marsit të vitit 1999, natën kur forcat paramilitare serbe, të uniformuara e të armatosur i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Dëshmitarët treguan se atë natë të detyruar nga forcat serbe kishin lënë pas familjarët e tyre, të cilët pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë ishin gjetur në një varrezë masive në fshatin Nerodime e Epërme.

Sipas dëshmitarit F. N. natën kritike me policë të tjerë të uniformuar kishte qenë edhe tani i akuzuari Z. K., i cili sipas dëshmitarit edhe kishte sulmuar babain e tij O. N.

Dëshmitari deklaroi se nata e 26 marsit të vitit 1999 i kujton atij gjërat më të këqijat që i kishte përjetuar në jetë.

“Na jetojmë ende me ngjarjet e vitit 1998-1999. Na kurrë nuk mujna me i heq prej mendjes tmerrin që e kemi përjetu” tha dëshmitari mes lotësh.

Ai dëshmoi sesi natën kritike e gjithë familja ishin mbledhur tek shtëpia e vëllait të tij, teksa shtëpitë e fqinjëve po digjeshin.

“Na kemi qenë të gjithë në shtëpinë e vllaut familja jonë, familja e axhës dhe vëllait. Atë natë jemi grumbullu pasi që kemi vendos që çkado që ndodh të jemi bashkë”, deklaroi ai.

Dëshmitari deklaroi se natën kritike policët serb kishin hyrë me dhunë në shtëpinë ku kishin qenë të strehuar.

“Na thanë me dalë të gjithë jashtë, tre polic serb e kanë pyt vllaun a është dikush brenda dhe vëllau i ka thënë. Jo askush, të gjithë jemi jashtë. Ata kanë hy edhe kanë shiku nëse dikush është brenda duke i nxjerr më pas të gjithë jashtë” shtoi dëshmitari.

Ai tregoi sesi në momentin kur babai i tij është nisur drejtë shtallës që t’i zgjidhte lopët pasi që ata i kishin vënë zjarrin ushqimit të kafshëve, tani i akuzuari e kishte shtyrë.

“Z. K. e ka shty babën e më pas një polic tjetër ia ka drejtuar armën. Na pastaj kemi fillu me bërtit, me kajt gratë e fmitë” tha ai.

Dëshmitari deklaroi se më pas policët me forcë i kanë ndarë gratë dhe fëmijët vetëm, ndërsa burrat vetëm, duke i sharë e ofenduar si dhe duke i urdhëruar të nisen drejt malit.

“Pasi jemi drejtuar nga mali kemi dëgjuar krisma me armë, ne jemi mundu me u kthy por nuk na kanë lon ata, tu na sha e ofendu, tu na drejtu armën e tu na godit me shkelma” shtoi dëshmitari.

Në pyetjen e prokurorit Valdet Gashi se ku kishte qenë Z. K., kur burrat ishin detyruar të rreshtohen në oborrin e shtëpisë së tyre, dëshmitari deklaroi se ai kishte qenë tek bunari, i uniformuar me uniformë të policisë ngjyrë të kaltër në të cilën i ka shkruajtur “Milicia”dhe i armatosur.

“Pasi me jemi largu kemi qëndru në Dremjan, ne mal në rekë të Opillës pastaj jemi detyru me u dorëzu në Shtime, nga aty këmi shku në fshatin Vejnovc dhe kur kanë hy forcat e NATO-s në Kosovë unë jom kthy te shpia edhe aty e kom pa që gjithçka është e kalltë” tha ai.

Ai tha se kanë kontrolluar shtëpinë e djegur për të shikuar nëse aty janë djegur familjarët e tyre, por që nuk kishin gjetur shenja nga ta.

“Para odës ka pasur pika të gjakut dhe kur kemi hy ne odë aty ka qenë krejt gjak” shtoi dëshmitari.

Ai tha se dyshojnë se aty është bërë masakrimi i familjarëve te tyre.

Më pas dëshmitari deklaroi se kishin kuptuar për varrezën masive, ku edhe ishin gjetur trupat e pa jetë të babait vëllaut dhe familjarëve të tjerë.

Ai deklaroi se më pas e kishin kuptuar për varrezën masive ku edhe ishin gjetur trupat e familjarëve të tyre.

Kur është bërë zhvarrimi dëshmitari deklaroi se ata kishin qenë të hedhur një mbi një.

“Unë kam mujt me identifiku trupin e babait, pantollat i ka pas te hequr deri te gjunjët, pastaj nuk kam mujt me perballu edhe me kanë largu nga aty” tha ai.

Ai gjatë dhënies së dëshmisë së tij, tha se në fshatin ku ata jetonin kishte pasur banorë edhe të nacionaliteteve të tjera si serb apo rom, ndër ta ishte edhe tani i akuzuari Z. K.

Dëshmitari tregoi sesi në vitin 1998 kishin filluar mobilizimin qytetarët e nacionalitetit serb, madje tregoi sesi ishin bërë disa “punkte” dhe që gjatë kësaj kohe në oborrin e tyre ishin hedhur dy bomba dore.

Gjatë kësaj seance u dëshmua në cilësinë e dëshmitares edhe e dëmtuara F. N., e cila tregoi para trupit gjykues përjetimet e natës së 26 marsit të vitit 1999.

Ajo tha se menjëherë pas përfundimit të bombardimeve forcat serbe kishin filluar të digjnin shtëpitë dhe për të qenë më të sigurt ajo rrëfeu sesi ishin strehuar në bodrumin e shtëpisë së kushërinjve, por që kjo sipas saj kishte ndodhur para ngjarjes kritike.

“Më 26 mars dita ka qenë e qetë, deri ne ora 8 në mbrëmje ku më pas ata fillun apet me gjuajtje me djegë të shtëpive deri sa kanë arritur te shtëpia jonë” tha ajo.

Ajo deklaroi se atë natë kishte qenë në shtëpi me të gjithë familjen, dhe kur forcat serbe kishin hyrë dhunshëm në shtëpinë e tyre, ajo kishte qenë duke i vënë fëmijët në gjumë në katin sipër të shtëpisë.

Pastaj ishte detyruar t’i merrte fëmijët dhe të dilte në oborr me të gjithë pjesëtaret e familjes.

“Për nië moment e kemi ni që u thy dritarja e kuzhinës dhe britma e sharje serbe. I kemi marr fmitë dhe të gjithë jemi detyru me dal në mes të oborrit ku na kanë rreshtu. Nga aty i kemi parë të gjitha shtëpitë duke u djegur vetëm shtëpia jonë jo” tha ajo.

Ajo tha se në mesin e serbëve kishte qenë edhe tash i akuzuari Z. K. i cili kishte qenë i veshur me uniformë policie dhe i armatosur sikurse të gjithë ushtarët tjerë.

“Z. K. e kemi njohur si djalin e V., ai e ka pasur një arë ngjitur me të tonën” shtoi ajo.

Ajo deklaroi se policët i kishin urdhëruar gratë dhe fmitë që të largohen, ndërkaq burrat kishin mbetur pas në oborrin e shtëpisë.

“Ne kemi qenë në prag të vdekjes, neve na detyruan mu largu drejt dyerve të oborrit ndërkaq burrat i detyruan të qëndrojnë” shtoi ajo.

Ajo deklaroi se ishin detyruar nga forcat serbe qe të largoheshin nëpër mal dhe teksa po largoheshin kishin dëgjuar krisma armesh.

“Në fillim se kemi ditë se çfarë ka ndodh më burrat, të nesërmen kojshit kanë shku në shpi me na thirr dhe në tokë e kanë pa plisin e vjehrrit dhe nëpër tokë kanë pa shenja të tërheqjes zvarrë” shtoi ajo.

Ajo deklaroi se pas tre muajsh kishin kuptuar qe familjarët e tyre ishin vrarë dhe ishin hedhur në një varrezë masive.

“Në familjen tonë është vra vjehrri, burri dhe dy djemtë e axhës, po ashtu na janë djegur edhe shtëpitë” shtoi e dëmtuara.

Ajo deklaroi se ka përjetime shumë të rënda nga ajo natë, këto ngjarje kishin ndikuar rëndë edhe tek djali i saj i cili i kishte thënë: “Nanë edhe mu është dasht mem lan me u kall me babin” tha ajo mes lotësh.

Ndërkaq lidhur me personin i cili kishte informuar të dëmtuarën për varrezat masive pati pyetje mbrojtësi i të akuzuarit D. Sh., avokati Mentor Neziraj.

Ai kërkoi nga dëshmitarja të dijë sesi ishte njoftuar dhe si i kishte besuar personit të quajtur H. e cila e kishte informuar lidhur me ekzistimin e varrezës masive.

Ndërkaq lidhur me raportet që familja e saj kishte pasur me familjen e të akuzuarit Z. K., pati pyetje avokati i këtij të fundit, Dejan Vasiq i cili e pyeti dëshmitaren nëse kishte njohuri lidhur me një pronë të blerë nga ai, për çka dëshmitarja deklaroi se nuk ka informata.

Në fillim të kësaj seancë trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Musa Konxheli kërkoi nga mediat raportimin me iniciale për shkak të ndjeshmërisë së rastit, por që lidhur më këtë nuk mori aktvendim.

Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës gjykata kishte nisur shqyrtimin gjyqësor në korrik të këtij viti, ndërkaq në seancën fillestare të mbajtur në janar të vitit 2020, dy të pandehurit kishin mohuar fajësinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2019, i akuzuari Z. K., më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë drektë në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes N. që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, i njëjti gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së O. N, e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me formë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.

Pastaj, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë të cilët u përkisnin forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, ka marrë pjesë në cenimin e rëndë të personalitetit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj familje, ngase me forcë nën kërcënimin e armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kanë nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë jo humane i kanë rreshtuar në oborr para shtëpisë duke i mbajtur nën frikë dhe presion për një kohë të gjatë.

Tutje, thuhet se në vazhdim derisa personat civil të familjes N., ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.

Pastaj, sipas akuzës, i pandehuri në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familje, të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr, ku në bashkëveprim edhe me kryerës tjetër, nën kërcënimin e armëve i kanë urdhëruar të shpërngulen nga vendbanimi i tyre duke i dëbuar me forcë në drejtim të panjohur.

Tutje, thuhet se i pandehuri ka marrë pjesë në marrjen peng të katër personave të kësaj familje, i cili duke vepruar në bashkëveprim me kryerës tjerë, fillimisht i ka ndarë nga pjesëtarë tjerë të familjes, personat O. N, B. N., A. N. dhe B. N., tani të ndjerë. Pas marrjes të tyre, thuhet se thelbësisht ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur për skaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.

Për këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventae të Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1 dhe 2 , nënpargrafi 2.1,2.2 dhe 2.3 të KPRK-së, ndërlidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Kurse, i pandehuri D. Sh., sipas aktakuzës, më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë, viktimave O. N., B. N., A. N. dhe I. R., ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

Sipas akuzës, në një njëjtën ditë, sipas urdhrit të të pandehurit dhe pjesëtarëve tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura si më larë, përmes personave H. K., I. A. dhe një personi tjetër i quajtur “Rada”, me kamionin e tipit “FAP”, me ngjyrë të verdhë janë tërhequr nga Morgu i Prishtinës, ende pa u bërë autopsia dhe janë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt të quajtura “varrezat myslimane”, ku aty ishte duke i pritur i akuzuari D. Sh., i cili menjëherë posa kanë arritur trupat e pajetë, ka urdhëruar personin e quajtur “Maksut”, që me ekskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së këtyre.

Ndërkaq, më pas, akuza thotë se pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri në 3 metra e gjerë dhe 70 deri në 80 cm të thellë, i pandehuri D. Sh., ka urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare janë hedhur në mënyrë të parregullt të gjithë në të njëjtën gropë masive.

Sipas akuzës, në përfundim, i pandehuri në kundërshtim me doket, zakonet dhe rregullat fetare të të vrarëve ka urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë masive të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 LP të RSFJ-së, aktualisht e dënueshme edhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës nga neni 146, paragrafi 2.2 “ Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës”.