Trajneri francez

E ardhmja e Arsene Wenger vazhdon të lidhet me Milanin

Ish trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger është duke u lidhur me një kalim senzacional dhe të papritur te Milani.

Wenger u largua nga drejtimi i “The Gunners” edicionin e kaluar, pas 22 viteve në stolin e londinezëve.

Trajneri veteran gjatë periudhës së kaluar te Arsenali ka fituar 3 Premier League dhe 3 FA Cup ndërsa ka humbur edhe një finale të Champions Leagues përballë Barcelonës në vitin 2006.

Revista franceze “France Football” ka raportuar se Milani është në bisedime me 69 vjeçarin për ta emëruar pasues të Gennaro Gattusos në pankinën e “Rosonerëve”.

Thuhet se bisedimet mes palëve janë mbajtur prej disa javësh, ndërsa pavarësisht se Milani i ka fituar 3 ndeshjet e fundit në Serie, drejtuesit e klubit italian nuk janë të kënaqur me punën e Gattusos.

“France Football” shkruan se dyshja e drejtuesve të Milanit, Paul dhe Gordon Singers janë admirues të Arsene Wengerit dhe dëshirojnë që të jetë pikërisht ai drejtuesi i Milanit në epokën e re të grupit “Elliot”.