Një rast i rëndë është raportuar nga Policia e Kosovës që përfshin vdekjen e një foshnje 9 muajshe nga fshati Gjinoc i Suharekës.
Policia ka njoftuar se foshnja dyshohet se është ngulfatur nga lidhësja e djepit derisa ka qenë në gjumë.
Lajmin e ka bërë të ditur për Reporteri.net zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Më datë 29.06.2025, Policia e Kosovës është njoftuar se në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit është sjellë një foshnje 9 muajshe për trajtim mjekësor. Sipas informatave, foshnja H.M. (2024), nga fshati Gjinoc, Komuna e Suharekës, derisa ka qenë në djep (në gjumë), është ngulfatur nga lidhësja e djepit. Foshnja, pasi ka pranuar trajtimin mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit, është transferuar në QKUK, Prishtinë, për trajtim të mëtutjeshëm”.
“Më datë 11.07.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informacionin se foshnja e lartcekur ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Publik, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi. Hetimet rreth rastit janë duke vazhduar”, ka deklaruar ai.







