Dyshohet se Qeveria nuk ka dërguar për verifikim në AKI asnjë ambasador të ri të emëruar

Në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, deputetët e pozitës dhe opozitës janë përplasur edhe një herë rreth skandalit financiar në të cilin dyshohet se është përfshirë edhe Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Berishaj është raportuar se ka në pronësi një kompani të quajtur “MB Consulting” në Mal të Zi nga e cila dyshohet se ka tërhequr mbi gjysmë milion euro, para këto të cilat janë bartur nga dega e kompanisë GEN (kompani energjetike) në Serbi.

Në anën tjetër, deputetët e opozitës në Kuvend i kanë konsideruar këto raportime si skandaloze, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit Martin Berishaj, të paktën për mos deklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ku kjo e fundit ka konfirmuar se tashmë ka nisur procedurat për verifikim të pasurisë së deklaruar nga ambasadori Berisha.

“Agjencia Kundër Korrupsionit konfirmon që ka pranuar këtë informatë në fund të javës së kaluar dhe e njëjta do të trajtohet sipas ligjit dhe brenda afateve ligjore. Rrjedhimisht, AKK-ja tashmë ka iniciuar procedurat për verifikim të pasurisë së deklaruar nga z. Berishaj. Verifikimi administrativ (sipas nevojës edhe hetimi administrativ) që kryhet nga AKK-ja, bëhet në formë të pavarur”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për lajmi.net.

E ish-ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, ka deklaruar se ambasadorët e rinj të emëruar nga Qeveria Kurti, nuk janë dërguar për verifikim (procedurë e sigurisë) në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë – AKI.

“Në kohën tonë në vitin 2019, Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë vendim që në të ardhmen të gjithë ata që shkojnë të udhëheqin misionet për ambasadora, paraprakisht të dërgohen në AKI për veirifkim. Të gjithë neve jemi verifikuar, e që në total kemi qenë 30 ambasadora. Qeveria e re, me sa e di unë asnjë prej ambasadorëve të ri nuk e ka dërgu për verifikim”, ka thënë Arifi për lajmi.net.

Ai ka deklaruar se nëse një proces verifikimi do të kryhej, do të ishte shumë më mirë për Kosovën dhe diplomatët e saj.

Sa i përket skandalit që po dyshohet se është përfshirë edhe ambasadori aktual i Kosovës në Kroaci, Arifi ka deklaruar se çdo zyrtar shtetëror që nuk deklaron pasurinë, përbën vepër penale.

“Çfarë unë e di është se çdo zyrtar shtetëror që nuk deklaron që ka kompani aktive, përbën vepër penale. Një zyrtar i shtetit që bën vepër penale nuk duhet të jap dorëheqje, duhet të shkarkohet. Pa marrë parasysh ato pazaret tjera, me vet faktin se nuk është deklaru që ka kompani aktive, do të thotë e ka fshehë, kjo është vepër penale me ligjet e Kosovës. Nuk duhet të jap dorëheqje, duhet të shkarkohet”, ka thënë Arifi.

Në anën tjetër, ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, ka deklaruar për lajmi.net se sa i përket çështjes së ambasadorit Martin Berishaj dhe mundësisë së shkarkimit të tij, së pari duhet të sqarohen disa gjëra rreth skandalit ku Berishaj dyshohet se është përfshirë.

“Unë e kam dhënë opinionin tim edhe para dy ditëve. Unë kam kërkuar që të sqarohen disa gjëra, duke filluar nga ajo se si janë tërhequr paratë në Malin e Zi, si janë transportuar paratë dhe me çfarë makine? Sepse nëse është përdorur makina zyrtare e ambasadës ajo është keqpërdorim i rëndë i pozitës së ambasadorit. Pastaj, ku kanë shkuar ato para? Fillimisht a janë marrë? Nëse janë marrë, ato kanë shku diku. Varësisht nga rezultatet fillestare, duhet të merret edhe vendimi dhe jo deri sa nuk ka argumentim”, ka deklaruar Kastrati.

Në fund, ish-ambasadori Kastrati ka deklaruar se sa i përket verifikimit të pasurisë së ambasadorit Berishaj nga Agjencia Kundër Korrupsionit, ata duhet të veprojnë në bazë të ligjit në fuqi.

Kujtojmë se mos deklarimi apo deklarimi i rrejshëm i pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik përbën vepër penale që sanksionohet me dispozitat e Kodit Penal (neni 437, pikat 1 dhe 2).