Dy persona të dehur e rrahën një qytetar në Prizren e lanë të shtrirë në tokë, ky është vendimi i gjykatës

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm gjyqtari i procedurës – Fatmir Krasniqi, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, ndaj të pandehurve D.R., dhe E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: lëndimi i rëndë trupor.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve D.R., dhe E.R., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

Të pandehurit D.R., dhe E.R., në bashkë kryerje, me datë 24 mars, në orët e vona të natës, në Prizren, i shkaktojnë lëndime të rënda trupore të dëmtuarit, në atë mënyrë që paraprakisht kishin qenë në një kafiteri ku kishin konsumuar alkool dhe nga i dëmtuari ishin fyer e sharë, në momentin kur i dëmtuari kishte dalë nga kafiteria, të pandehurit u ishin vënë pas duke e ndjekur me automjetin e tyre, tutje të pandehurit e shfrytëzojnë momentin e duhur kur në rrugë nuk ishte askush përveç të dëmtuarit, ashtu që në anën e majtë të rrugës e ndalin automjetin, që të dy dalin nga automjeti, shkojnë në drejtim të të dëmtuarit në anën e kundër të rrugës, u ofrohen të dëmtuarit, të cilin me grushte fillimisht e godet në pjesën e fytyrës i pandehuri D.R., nga e cila goditje i dëmtuari bie në tokë, me këtë rast të dy të pandehurit e godasin me shqelma në pjesën e kokës, e lënë të shtrirë në tokë dhe largohen nga aty, ndërsa i dëmtuari haset i shtrirë nga një kalimtar rasti i cili përmes telefonit Emergjencën,

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtari i procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh faktin se të pandehurit veprën penale dyshohet se e kanë kryer më datë 24 mars, ndërsa më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes, dhe pas veprimeve operative e hetimore të organeve të ndjekjes ata janë identifikuar dhe arrestuar më datë 26 mars, shton dyshimin e bazuar që nëse të njëjtëve nuk iu caktohet paraburgimi, ata mund të arratisen dhe të jenë të pa kapshëm për organet e drejtësisë në faza tjera të procedurës penale, me çka do paraqiste pengesë reale për zhvillimin e rregullt të procedurës hetimore në këtë çështje penale.

Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurve është masë konkrete, duke marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurve dhe sjelljen e mëparshme të tyre, duke u bazuar në informacionin nga evidenca për të kaluarën kriminale, rezulton se të pandehurit e lartcekur janë recidivistë, kryerës të mëhershëm të veprave penale të natyrës së njëjtë, por edhe të natyrave tjera.