Dy laboratorë droge u shkatërruan dje në Kosovë, droga në Ferizaj dyshohet se erdhi nga Irani përmes Turqisë

Një aksion i Policisë së Kosovës në Izvor të Zveçanit ka rezultuar me gjetjen e një laboratori të drogës, në të cilin ndodheshin rreth 10 mijë fije marihuanë.

Paraprakisht në atë zonë ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri, por nuk pati të lënduar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje të drogës së konfiskuar në këtë aksion.

Sipas tij, vlera e drogës së konfiskuar, është në vlerë rreth 6 milionë euro, derisa e pajisjeve 1.5 milion euro.

Ministri ka njoftuar se droga e konfiskuar tashmë po shkatërrohet.

“Pas shkatërrimit të laboratorit në veri të vendit, Izvor, vlera e drogës së konfiskuar e cila tashmë po shkatërrohet ka rezultuar në vlerë 6 milonë euro ndërsa vlera e paisjeve 1.5 milionë euro”, ka shkruar Sveçla.

Detaje të tjera ka dhënë Shefi i Antidrogës në Policinë e Kosovës, Reshat Murseli.

Ai ka njoftuar se policia ka informacione lidhur me personin që dyshohet ta ketë në pronësi laboratorin në veri, dhe ai është i nacionalitetit serb.

“Sipas informacioneve që vijnë nga drejtoria rajonale e Policisë në Veri gjatë aksionit policor dhe doganës bashkërisht, në kohën paralele të njëjtë janë dëgjuar të shtëna në afërsi të lokacionit, nuk ka të lënduar, ka dyshime se lidhet me aksionin e policisë që ishte duke u zhvilluar në rajon”.

“Policia ka rritur të gjejë gjurmët e gëzhojave të armëve që janë përdorur në lokacion, nuk ka informacione shtesë për momentin por do të mbetet në faza të tjera të hetimit, të vërtetohen lidhshmëria mes rasteve që janë në progres tani”.

“Për momentin nuk ka të arrestuar. Policia ka arritur të sigurojë informacione të pronarit të asaj prone ku është kultivuar bima kanabis dhe jemi në kërkim policor. Është i nacionalitetit serb. Është i njohur tani për policinë”, është shprehur ai.

Antidroga gjatë ditës së djeshme zhvilloi një aksion edhe në Ferizaj, ku u konfiskuan rreth 70 kilogramë drogë, shkruan Reporteri.net.

Ministri Sveçla tha se “Ky lloj droge është jashtëzakonisht i rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e njeriut”.

Ndërkaq Shefi i Antidrogës në Policinë e Kosovës, Reshat Murseli, ka thënë që dy aksionet policore në veri të Kosovës dhe në Ferizaj ku u shkatërruan dy laboratorë droge, nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Ai tha se në rastin në Ferizaj ai ka thënë se janë të përfshirë edhe pesë shtetas turq, dhe se droga kishte ardhur nga Irani duke kaluar edhe përmes Turqisë.

“Ndërsa në rastin në Ferizaj kemi të përfshirë pesë shtetas turq të cilët kanë qenë këtu në cilësinë e ekspertëve të përpunimit për arsye se droga është gjetur në dy laboratorë, dhe ka qenë në faza të përpunimit sepse si lëndë e parë ka arritur nga Irani, përmes Turqisë ka arritur në Kosovë me mjete transporti dhe e kamufluar në mallra të ndryshëm dhe pastaj këtu grupi kriminal përmes personave që kanë njohuri të përpunimit të këtyre drogave sintetike e kanë filluar përpunimin në dy laborator të ndryshëm për një periudhë të caktuar kohore dhe e kanë shndërruar atë nga substancat kimike në heroinë dhe gjatë testimit fushor ka rezultuar edhe kaptagon”, ka shtuar Murseli për Klan Kosovën.

“Këtu është një bashkëpunim mes grupeve kriminale të Kosovës dhe disa grupeve kriminale në Turqi”, u shpreh Murseli.