Trajneri argjentinas

Dy klube të mëdha evropiane kërkojnë Pochettinon pas largimit nga Chelsea

Largimi i papritur i Mauricio Pochetinos habiti së tepërmi opinionin sportiv në Angli. Tekniku argjentinas e drejtoi vetëm për një sezon Chelsean në Premier League dhe e pozicionoi në vendin e 6-të në kampionat. Pritej që Pochetino të vazhdonte ciklin e tij në “Stamford Bridge”, ashtu siç parashikohej edhe nga kontrata mes palëve.

Por, Chelsea vendosi të ndërpresë këtë proces. Menjëherë pas largimit, kanë filluar zërat e parë për klubin e ardhshëm të Pochetinos. 52-vjecari është përfolur për një emërim tek Manchester United, por nuk përjashtohet as Bayern Munchen.

Të dyja klubet po kalojnë një situatë të paqartë me trajnerët. Man.Utd udhëhiqet nga Ten Hag prej dy sezonesh, por oshilacionet e shumta e kanë vënë në dyshim të ardhmen e holandezit në “Old Trafford”.

Pochetino ishte në balotazh me Ten Hag para se ky i fundit të fitonte konkurrencën për të drejtuar Djajtë e Kuq në vitin 2022. Sidoqoftë, është pikërisht argjentinasi ai që mund të zërë vendin pas finales së FA Cup me Manchester City.

Bayern Munchen do të ndërpresë bashkëpunimin me Thomas Tuchel dhe klubi bavarez është refuzuar nga shumë emra të rëndësishëm, trajnerë gjermanë dhe të tjerë.

Së fundmi, Pochetino ka fituar goxha terren për të marrë përsipër ekipin bavarez. Gjigantët gjermanë po konsiderojnë edhe emrat e Sebastian Hoenes dhe Vincent Kompany. /Ballkani.info