Dy Enver Hasana, ai i vitit 2017 dhe ai i vitit 2019, flasin ndryshe për nominimin e kryeministrave nga Presidenti

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, varësisht prej viteve ka ndryshuar edhe interpretimin rreth procedurës së mandatimit të kandidatit për kryeministër nga Presidenti i Republikës së Kosovës.  

Në një intervistë të dhënë për Tribuna Chanel në qershor të vitit 2017, Hasani kishte thënë se nuk përjashtohet mundësia që presidenti të mandatojë për formimin e qeverisë edhe partinë e cila nuk e ka shumicën e vendeve në Kuvend.

Madje sipas këtij interpretimi, Hasani atë kohë potenconte se presdienti mund të mandatojë partitë që mund të krijojnë shumicën, madje një person i cili s’ka marrë fare pjesë në zgjedhje.

Ish-kreu i Kushtetueses madje thoshte që mandati për krijimin e qeverisë re mund t’i jepej çdo partie që arrinë të futet në Kuvend, pra që kalon pragun.

“Mandati mund t’i jepet çdo kujt që e ka kalu pragun, që është parti paralamentare. Ajo është quajtur disckrecion. Nuk mundet me u abuzu diskreconi, mos me ia dhanë kërkujt. Është detyrim kushtetues i shefit të shtetit, që herën e dytë sikur herën e parë, me ia dhanë sipas një renditje. Herën e parë atyre që kanë dalë shumicë, ndërkohë herën e dytë që kanë dalë i dytë i tretë ose i katërt. Ose që mund të mandatohet nga partitë parlamentare që përbëjnë shumicën e re, mund të mandatohet një person i tretë krejt jashtë atyre që kanë marrë pjesë në zgjedhje”, ka thënë Hasani.

Ish-kreu i Kushtetueses thoshte që është detyrim Kushtetues që të ndiqet një rregull e tillë e nominimit për kryetar të qeverisë. Sipas tij nëse herën e parë nuk i thërret, atëherë herën e dytë duhet t’i thërras të gjitha partitë në përpjekje për krijimin e  shumicës parlamentare.

“Është detyrim i shefit të shtetit dhe përbën shkelje kushtetuese …Nëse herën e parë nuk arrihet në parlament një shumicë, herën e dytë duhet t’i thërret të gjitha forcat politike dhe të zgjidhet..është obligim kushtetues”, kishte thënë tutje Hasani në qershorin e vitit 2017.

Por pas më shumë se dy vitesh, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Hasani për të njëjtën situatë ka një interpretim komplet tjetër. Sipas tij Presidenti fillimisht e fton partinë e parë me një kandidat për kryeministër, nëse dështon i nominuari i parë për të bërë shumicën, atëherë ia dërgon ftesën përsëri partisë së parë në këtë rast “Vetëvendosjes” me një kandidat tjetër, e nëse dështon edhe i nominuari i dytë atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“ Hera e dytë, prapë ia dërgon VV’së me një kandidat tjetër, edhe kryhet muhabeti. Dështon edhe ai, shkon vendi në zgjedhje”, ka thënë Hasani në 12 dhjetor të vitit 2019.