Deklarata që Aleksandar Vuçiq nënshkroi në Tiranë është jashtëzakonisht antiruse dhe mund të dëmtojë vetëm Serbinë dhe interesat serbe në marrëdhëniet politike dhe ekonomike serbo-ruse, deklaroi sot partia nacionaliste serbe – Dveri.
Në një deklaratë nga kjo parti kanë theksuar se presidenti serb Vuçiq as që e ka pasur problem nënshkrimin e deklaratës së bashku me presidenten e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton Ballkani.info.
“Presidenti i Serbisë nuk ka nevojë të shkojë në samite të tilla, të organizuara nga Alexander Soros dhe Fondacioni Soros, as nuk ka nevojë të takohet me Presidentin e Ukrainës Zelensky, për të fituar favorin e Brukselit dhe Uashingtonit, por Serbisë i duhet një politikë tjetër e jashtme dhe një qëndrim tjetër ndaj Brukselit dhe Uashingtonit”, theksoi Dveri në deklaratë.
Kjo parti përkujtoi se populli serb, përfshirë edhe votuesit e Partisë Progresive Serbe, kanë marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe popullin rus dhe se Rusia është mbrojtëse e interesave të Serbisë në çështjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara. /Ballkani.info/







