Takimi i Brukselit

“Dush i ftohtë për Vuçiqin”: Si raportojnë mediat rajonale për deklaratën e Scholzit, Macronit dhe Melonit, drejtuar presidentit serb dhe kryeministrit kosovar?

Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë mbrëmë i kanë bërë thirrje Serbisë që të njohë de fakto Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, por që Beogradi ende e konsideron krahinë të saj, shkruajnë mediat rajonale.

Oslobodjenje me bazë në Sarajevë, duke cituar Hina-n kroate, shkruan se në një deklaratë të publikuar një ditë pas bisedimeve me të dyja palët, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri italian Giorgia Meloni thanë se është koha që fqinjët ballkanikë të përmbushin angazhimet e mëparshme, transmeton Ballkani.info.

“Lëvizja e tyre vjen pas shqetësimit ndërkombëtar në rritje se ish-armiqtë ndërluftues mund të kthehen në konflikt të hapur pas një sërë incidentesh të dhunshme në muajt e fundit. Pjesa më e madhe e tensionit është përqendruar në Kosovën veriore, ku serbët etnikë përbëjnë shumicën. Pjesa tjetër e Kosovës është e përbërë kryesisht nga shqiptarë etnikë”, shkruan kjo gazetë e Sarajevës dhe zbulon se në deklaratën e tyre Macron, Scholz dhe Meloni përsëritën thirrjet e tyre të kahershme drejtuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të krijuar një asociacion të komunave me shumicë serbe, duke u dhënë serbëve vendas një shkallë të caktuar të vetëqeverisjes.

Në letrën, siç shkruan portali boshnjak, Klix, duke komentuar takimet e së enjtes në Bruksel, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, liderët evropianë theksojnë se mirëpresin angazhimin e “të dyja palëve”.

“Kemi marrë parasysh komentet e liderëve të Kosovës dhe Serbisë për Statutin Evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për ta zbatuar atë. Projekt-statuti që paraqitëm dhe shtymë në tërësi përfshin një mënyrë moderne evropiane të zgjidhjes së çështjes së ndjeshme të mbrojtjes së pakicave, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuar nga palët”, thuhet në letrën e publikuar në Faqja e kancelares gjermane, shkruan ky portal.

Slobodna Bosna në tekstin e saj me titull “Dush i ftohtë për Vuçiqin” rikujton se BE-ja kishte si pikë diskutimi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në mbledhjen e Këshillit Evropian. Në konkluzionet nga ai takim, Kosova dhe Serbia janë ftuar që “të përmbushin të gjitha marrëveshjet e mëparshme pa vonesë dhe pa parakushte”. Ata paralajmëruan se mungesa e progresit në zbatim do të ketë pasoja për të dyja palët.

Vijesti e Podgoricës shkruan se pas takimit, Borrell ka deklaruar se marrëveshja mes liderëve të Serbisë dhe Kosovës nuk ka qenë e mundur për shkak të parakushteve të secilës palë, të cilat ishin të papranueshme për njëra – tjetrën. /Ballkani.info/