“Duke votuar i bëhesh ortak All-ll ahut”, kështu penguan procesin e votimit disa gjakovarë, Prokuroria ngritë aktakuzë ndaj tyre

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër tre personave me inicialet  M.A., H.A., dhe V.D.,  për veprat penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragraf 1 të KPRK-së, si dhe, “Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar”, nga neni 209 paragraf 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

I pandehuri M.A., më parë e deri më 06.10.2019, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin, ka poseduar armë dhe municion, pikërisht një revole të markës Ekol Special 99 kalibër 9 mm, dhe një karikator të zbrazët . Arma dhe municioni i janë gjetur në shtëpinë e tij, ku edhe janë sekuestruar. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka përmbushur elementet e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragraf 1 të KPRK-së.

Të pandehurit H.A., dhe V.D., më 05.10.2019, rreth orës 22:00, në Gjakovë, në mënyrë të kundërligjshme, parandalojnë, pengojnë, duke ndikuar në përcaktimin e lirë të votuesve në zgjedhjet nacionale të vitit 2019. Të pandehurit kanë vepruar sipas marrëveshjes paraprake, duke i shumëzuar një numër të konsiderueshëm të afisheve, ku bëjnë thirrje votuesve për mos pjesëmarrje në votime, me mbishkrimin “ Kujdes votimi për ligjet e nxjerra nga njeriu është SHIRK, ti bësh ortak All-ll ahut”,  më pastaj i kanë shpërndarë ato në vende të ndryshme publike në Komunën e Gjakovës.  Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit në bashkëkryerje, kanë përmbushur elementet e veprës penale “ Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar”, nga neni 209 paragraf 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Prokurori  rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë, që të pandehurit M.A., H.A., dhe V.D., të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.