Dukagjini është rikthyer në Superligën e Kosovës në futboll pasi doli më i suksesshëm se Trepça ’89 në ekzekutimin e penalltive.
Të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Dukagjini fitoi 4:3 në penallti. Penalltinë vendimtare e realizoi Erblind Mulaj.
Koha e rregullt përfundoi 1:1, dhe nuk pati gola as në dy vazhdimet nga 15-të minuta. Adenis Shala në minutën e 30-të shënoi për Trepçën ’89, kurse Labinot Osmani i barazoi shifrat në minutën e 52-të.
Penalltitë te skuadra e Dukagjinit i shënuan Labinot Osmani, Vildan Kerim, Altin Merlaku dhe Erblind Mulaj, derisa dështoi Elton Basriu.
Në penallti për skuadrën e Trepçës ’89 shënuan Sedat Berisha, Arbnor Muja dhe Robert Rrahmani kurse dështuan Muharrem Jashari dhe Ardian Muja.
Dukagjini rikthehet në Superligën e Kosovës në futboll pas një viti mungesë.







