Duka edhe në mandatin e ri në KE të UEFA-së merr përsipër përkujdesjen ndaj FFK-së 

Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë ta ketë përkujdesjen dhe mbështetjen e presidentit të FSHF-së, Armand Duka edhe gjatë mandatit të tij të ri në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-së. Në mbledhjen e fundit të KE të UEFA-së është miratuar shpërndarja e portofolit të anëtarëve të këtij organi dhe FFK do të vazhdojë të jetë nën përkujdesjen e presidentit Duka.

Ky i fundit nëpërmjet një shkrese zyrtare e ka informuar presidentin Agim Ademi se është i nderuar për faktin që për të dytin mandat radhazi, FFK do të jetë pjesë e portofolit të tij.

“Kjo, jo vetëm që është një detyrë dhe përgjegjësi e rëndësishme por në të njëjtën kohë edhe shumë domethënëse për mua, për marrëdhënien veçanërisht vëllazërore me FFK-në dhe Kosovën. Ju e dini, që kontributi dhe mbështetja ime në zhvillimin e futbollit në Kosovë ka qenë e përhershme dhe e pakufizuar në çdo moment. Për këtë arsye gjej rastin të uroj që ky 4-vjeçar të ketë vetëm suksese për Ju dhe Federatën tuaj”, ka shkruar Duka në shkresën e tij drejtuar kreut të FFK-së.

Duka e ka siguruar presidentin Ademi se do të jetë gjithmonë në dispozicion të tij, jo vetëm si mik i FFK-së dhe personalisht i tij, por edhe si një katalizator dhe urë lidhëse ndërmjet FFK-së dhe institucionit të UEFA-së.

Gjatë mandatit të tij të parë si anëtar i KE të UEFA-së, Duka ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin dhe infrastrukturën e futbollit në Shqipëri dhe shtetet e rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën. FFK ka realizuar të gjitha projektet e paraqitura në UEFA në këtë periudhë, teksa prania e presidentit Duka në organin më të lartë të UEFA-së dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme me presidentin Ademi janë një mundësi e mirë për të vazhduar zhvillimin e mëtutjeshëm të futbollit në Kosovë në të gjitha segmentet.