Duda Balje: Ndihem keq që jam deputete e këtij shteti, njerëzit po më ofendojnë rrugës

Deputetja Duda Balje ka thënë se prej publikimit të shpenzimeve për karburante ajo po merr komente ofenduese gjatë kohës kur po ec rrugës.

Balje shton se po jeton në presion që katër ditë dhe thotë se kjo është pa faj të saj pasi nuk ka gënjyer për qytetin ku jeton apo për veturën e saj.

“Unë këto 4 ditët e fundit jam duke jetuar në presion për një gjë që unë praktikisht nuk jam fajtor. Nuk kam rrejt për qytetin ku jetoj e as për veturën. Unë posedoj veturën dhe shkoj me të në punë cdo ditë dhe tash si ka dalë nëpër media dje e pardje kur kam ecur nëpër rrugë kanë pasur shumë komente ofenduese”, tha ajo në KTV.

Ajo ka treguar edhe llojet e ofendimeve që po i merr nga njerëzit kur po ec rrugës. Balje ndihet keq që është deputete e Kosovës për shkak të këtyre rrethanave.

“Lidhur me naftën në kontekste të ndryshme por me qëllim të njëjtë por njerëzit më kanë ofenduar se kam harxhuar naftë. Dhe pas katër mandateve e ndjej veten keq që jam deputete e këtij shteti”, shtoi ai.