Duartrokitjet e thata evropiane, 300 spartanët dhe koha për Kosovën

Shkruan: Albatrit Matoshi

 “𝘕𝘶𝘬 𝘬𝘢 𝘵ë𝘳𝘩𝘦𝘲𝘫𝘦. 𝘕𝘶𝘬 𝘬𝘢 𝘥𝘰𝘳ë𝘻𝘪𝘮. 𝘒𝘺 ë𝘴𝘩𝘵ë 𝘭𝘪𝘨𝘫𝘪 𝘴𝘱𝘢𝘳𝘵𝘢𝘯. 𝘋𝘩𝘦, 𝘴𝘪𝘱𝘢𝘴 𝘭𝘪𝘨𝘫𝘪𝘵 𝘴𝘱𝘢𝘳𝘵𝘢𝘯, 𝘯𝘦 𝘥𝘰 𝘵ë 𝘲ë𝘯𝘥𝘳𝘰𝘫𝘮ë 𝘥𝘩𝘦 𝘥𝘰 𝘵ë 𝘭𝘶𝘧𝘵𝘰𝘫𝘮ë…𝘥𝘩𝘦 𝘥𝘰 𝘵ë 𝘷𝘥𝘦𝘴𝘪𝘮. 𝘕𝘫ë 𝘦𝘱𝘰𝘬ë 𝘦 𝘳𝘦 𝘬𝘢 𝘧𝘪𝘭𝘭𝘶𝘢𝘳: 𝘕𝘫ë 𝘦𝘱𝘰𝘬ë 𝘦 𝘭𝘪𝘳𝘪𝘴ë! 𝘋𝘩𝘦 𝘵ë 𝘨𝘫𝘪𝘵𝘩ë 𝘥𝘰 𝘵𝘢 𝘥𝘪𝘫𝘯ë 𝘴𝘦 300 𝘴𝘱𝘢𝘳𝘵𝘢𝘯ë 𝘥𝘩𝘢𝘯ë 𝘧𝘳𝘺𝘮ë𝘯 𝘦 𝘵𝘺𝘳𝘦 𝘵ë 𝘧𝘶𝘯𝘥𝘪𝘵 𝘱ë𝘳 𝘵𝘢 𝘮𝘣𝘳𝘰𝘫𝘵𝘶𝘳 𝘢𝘵ë!” – 𝘔𝘣𝘳𝘦𝘵𝘪 𝘓𝘦𝘰𝘯𝘪𝘥𝘢𝘴!

Rezistenca e Ukrainës dhe lidershipi i presidentit Zelensky është një histori e bukur dhe inspiruese. Me zemër e uroj edhe një fitore të tyre. Fitorja e Ukrainës do të nënkuptonte fitore për demokracinë dhe lirinë – të mirës para të keqes. Por, fatkeqësisht, kam frikë që edhe kjo luftë do të shkoj në histori sikur “Beteja e Termopileve”, ku 300 spartanë të udhëhequr nga Mbreti Leonidas (Lexo: Presidentit Zelensky sot), përkundër guximit, strategjisë dhe luftës heroike, nuk do të mund të ndalin ushtrinë e pafundme të Xerxes (L: Putinit). Disa ditë më herët ose disa ditë më vonë, Putini dhe Rusia do të depërtojnë në Kiev dhe në të gjitha qytetet tjera nëse e kanë në plan, po e ritheksoj, fatkeqësisht. Dhe, kështu, historia do të ripërsëritet edhe një herë në mes të Evropës, në shekullin e 21-të, siç ka ndodhur pafundësisht në të kaluarën.

Frazës “Asnjëherë Më” – çdo ditë e më tepër po i zbehet kuptimi.Gjithsesi, kjo nuk do të jetë për fajin e ukrainasve, mungesës së guximit të tyre ose vullnetit për të rezistuar. Përkundrazi, ukrainasit po e bëjnë pjesën e tyre jashtëzakonisht mirë, lavdishëm.Dhe, sipas maksimës së Mbretit Leonidas, presidenti Zelensky me ukrainasit janë të gatshëm të vdesin të gjithë për Epokën e Lirisë që ka nisur.

Ajo që nuk po arrin edhe në këtë rast të bëjë më shumë, është Bashkësia Ndërkombëtare. Përjashtim po bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sot janë mbështetja më e madhe dhe serioze për Ukrainën dhe, e di, që në afatgjatë nuk do ta braktisin asnjëherë këtë shtet. Ndërkaq, edhe këto duartrokitje në Parlamentin Evropian, megjithëse suportive, në esencë janë boshe. Ja ku janë, ata që vendosin për Evropën, duke e bërë veten të ndjehen më mirë me këto duartrokitje, derisa në lajme shohin fëmijë e familje që po shkatërrohen çdo ditë në një shtet sovran të Evropës.

Duke shikuar një komedian i cili është bërë lider dhe politikan më i mirë sesa që të gjithë këta mund të ëndërrojnë ndonjëherë, derisa shkon drejt kapitullimit dhe e tëra që bëjnë është “duartrokitja”. Kjo skenë më rikujton lojën e violionistëve derisa Titaniku fundosej në Atlantik. Po, mbase aktualisht janë duke bërë gjithçka që është mundur brenda fuqisë së tyre dhe nuk mund të mohohet një unifikim si rrallë herë i shteteve evropiane në lidhje me një konflikt të kësaj natyre, megjithatë rezultati nuk po ndryshon. Ukrainasit po vdesin çdo ditë! Është pikërisht kjo “dobësi” dhe byrokraci që Evropa ka instaluar në veprimet e tyre për raste të tilla, të cilën Putini e ka hetuar tash e sa vjet, dhe e cila e ka bindur atë se pushtimi i Ukrainës është një mision që mund ta realizoj. Po, Putini i ka të gjitha: Tiran, pushtues dhe kriminel, por, budalla nuk është. Të gjitha këto janë të kalkuluara.

Njësoj sikur te “300 Spartanët”, edhe për ukrainasit do të vijnë kohë më të mira në të ardhmen, por çmimi që po e paguajnë sot është jashtëzakonisht i lartë.Këtë byrokraci në reagim të Bashkimit Evropian e ka vuajtur edhe Kosova, e posaçërisht Bosnja. Të njëjtën anemi, e ka shfrytëzuar pambarim Serbia tash e shumë dekada. Po e bën edhe sot. E, do ta bëjë edhe nesër, përsëri, nëse Bashkimi Evropian nuk vendosë shpejtë që Ballkanin ta integrojë në mekanizma të përhershëm evropian. Kosova, sot më shumë se kurrë, ka nevojë për lobim, për mbështetje, për njohje nga vendet që nuk e kanë njohur, për statusin kandidat në BE dhe, mbi të gjitha, anëtarësim në NATO.Të gjitha të tjerat janë vetëm mundësi për Serbinë që ta ripërsërisë për të shumtën herë historinë e agresionit dhe gjakderdhjes – para syve të Evropës.

Reagoni shpejtë. Nëse jo sot, kur? Nëse jo këtu, ku?