Ish futbollisti legjendar i Chelseat, Didier Drogba i ka dhënë lamtumirën futbollit me një humbje që skuadra e tij Phoenix Rising e pësoi nga Louisville City në finalen e Playoff-it të kategorisë së dytë të futbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Drogba e udhëhoqi deri në finale klubin që njëherëshit e ka edhe në pronësi, por një gol i skuadrës kundërshtare i mohoi trofeun e fundit sulmuesit nga Bregu i Fildishtë.

Kjo disfatë shënon fundin e karrierës së mrekullueshme që 40 vjeçari ka pasur, teksa kulmi ishte në finalen e Champions League ndaj Bayernit në vitin 2012.

Drogba gjithashtu ka fituar edhe 4 Premier League, 4 FA Cup dhe Super Ligën e Turqisë me Galatasarayin.

Didier Drogba kishte njoftuar për planet e tërheqjes nga futbolli në mars të këtij viti, ndërsa gjatë karrierës së tij është aktivizuar në klube si Le Mans, Marseille, Shanghai Shenhua, Galatasaray dhe Montreal Impact.