Legjenda e Chelseat, Didier Drogba ka mbetur i impresionuar nga starti pozitiv i sezonit nga Chelsea, pavarësisht humbjes së fundit 3-1 në derbi përballë Tottenhamit.

Ish sulmuesi i “The Blues” është i bindur se klubi nga “Stamford Bridge” do të ia dalë të rikthehet nga disfata e së shtunës.

Paraqitja e Chelseat në “Wembley” ishte për t’u harruar, gjersa kjo humbje i la londinezët 7 pikë prapa liderit, Manchester City.

“Chelsea po bën një sezon të mirë këtë vit, dikur do të vinte edhe humbja. Të humbasësh ndaj Tottenhamit nuk është asnjëherë gjë e mirë për shkak se është derbi dhe ata kanë një skuadër të mirë. Shpresoj që Chelsea do të arrijë të reagojë pas kësaj disfate dhe të fillojnë një seri të re të fitoreve. Synimi është të fitohet Premier Leauge, kur luani në një klub si Chelsea pritshmëritë janë gjithmonë të tilla. Është një start i mirë dhe skuadra sigurisht se do të rikthehet në rrugën e duhur”, theksoi Drogba.

Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë që njoftoi pensionimin nga futbolli javën e kaluar, zbuloi se ndeshja që e ka në kujtime gjithmonë është ajo kundër Napolit në Champions Leaguen e vitit 2012.

“Duhej të riktheheshim nga disavantazhi 3-1 i ndeshjes së parë dhe atmosfera në stadium ishte e mrekullueshme. Ishte një ndeshje e shpejtë, njëra prej më të mirave që i kam zhvilluar”, përfundoi Drogba.