Trajneri

Driton Kuka: Me ujë, zjarr dhe xhudon e Kosovës nuk ka lojë!

Trajneri i ekipit të xhudos së Kosovës, Driton Kuka, ka thënë se ende nuk mund ta besojë se pesë xhudistë kosovarë do të kthehet nga Tokio 2020 me dy medalje të arta.

Ekipi i xhudos, i përbërë nga pesë garues, e shkroi historinë në Lojërat Olimpike 2020, pasi i fitoi dy medalje të arta, duke e çuar në tre numrin e përgjithshëm të medaljeve të arta nga vetëm dy pjesëmarrje olimpike.

Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në kategorinë 48 kilogramë në fund javë, e cila ishte e para për Kosovën në Tokio dhe e para për të në karrierë.

Pak ditë më vonë, të hënën, Nora Gjakova e përsëriti suksesin e saj duke e fituar medaljen e artë në kategorinë 57 kilogramë.

Krasniqi dhe Gjakova i ndoqën hapat e atletes më të madhe kosovare dhe frymëzueses së tyre, Majlinda Kelmendit, e cila e kishte fituar medaljen e artë në Olimpiadën Rio 2016.

Në një reagim në rrjetin social Facebook pasi Loriana Kuka i mbylli garat me humbje për ekipin e xhudos së Kosovës, Kuka e postoi një fotografi të veten me pesë xhudistët të veshur në rroba tradicionale japoneze.

“Samurajët Shqiptar…Medaljet Olimpike për popullin Shqiptar së shpejti do zbarkojnë në trojet Shqiptare. Xhudistët e ekipit tonë me sot i përfunduan garat në Lojëra Olimpike! Dy Medalje të Arta! Ende po më duket si ëndërr e mirë 5 garues e dy të arta! Medaljet janë të krejt ekipit me protagoniste Disin e Noren! Ashtu siç ishte e arta e Majlindes. Ekipi jemi ne që stërvisim, gëzohem e qajme së bashku në fitore e humbje,aty qëndron forca jonë e madhe!” shkroi Kuka.

Majlinda dështoi ta përsërisë suksesin e Rios pasi u mund qysh në luftën e parë. Akil Gjakova ishte shumë afër medaljes së bronztë, por nuk ia doli për pak. Ndërsa Loriana Kuka u mund në luftën e parë, po ashtu.

Kuka shtoi: “Kemi në krye Agronin që çdo ditë duron tekat e mia të trenerit,por kjo krejt është shpaguar… 2 Olimpiada 3 Medalje të Arta! Me dhjetra medalje Evropiane e Botërore! Këta jemi ne! I gëzofshim medaljet të gjithë ne, Shqiptarët kudo që jemi! Jam mirënjohës miq për aq shumë mesazhe e urime prej dhjetra e mijëra miqve. Ata që kanë menduar që medalja e artë e Majlindës është e para dhe e fundit, jeni mashtruar në llogari! Spo flas më shumë për sojin  e juaj se sdua ta prish festën e madhe! E kam thanë edhe më herët. Me ujë,zjarr e xhudon e Kosovës ska lojë! Kosova mbi të gjithë”.

Ekipi i xhudos, i udhëhequr nga trajneri Driton Kuka, pritet të kthehet në Kosovë të hënën.

Kosovës i kanë mbetur vetëm edhe dy garues ende në luftë për medalje në Tokio, Musa Hajdari dhe Egzon Shala, që do të garojnë në ditët në vijim.

11 garues kosovarë morën pjesë në Tokio 2020, prej të cilëve pesë ishin xhudistë.