Driton Kuka me ekipin e tij mendojnë të largohen nga Kosova

Kosova mund të mbetet pa sportistët më të suksesshëm në historinë e saj.

Trajneri, njëkohësisht përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka bërë me dije se po e mendon largimin nga Kosova dhe kjo vetëm për shkak të mungesës së kushteve për punë.

“Nuk e di çfarë do të ndodh, por po e mendoj edhe largimin nga Kosova, sepse në këto kushte dhe rrethana duhet shikuar edhe interesin personal, interesin e familjes”, ka thënë Kuka për RTK-në.

Ai është shprehur i zhgënjyer me zvarritjen e fillimit të punëve për ndërtimin e Qendrës Nacionale të Xhudos, përkundër faktit se lokacioni është caktuar tash e sa kohë.

“Tashmë është e qartë se ne nuk do ka kemi palestrën për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike të vitit 2020 që zhvillohen në Tokio. Pas asaj Olimpiade, Majlinda e Nora mund të mos garojmë më, pra personat që i kanë arritur sukseset më të mëdha në historinë e sportit të Kosovës nuk do ta kenë mundësinë të stërviten në atë palestër. Në Kosovë janë ndërtuar shumë palestra, stadiume, fusha të futbollit të vogël, por nuk u ndërtua ajo palestër aq e nevojshme për ne”, ka shtuar Kuka.

Është e qartë se ofertat për të dhe për xhudistet tona, sidomos për Majlinda Kelmendin nuk kanë munguar tash e sa vjet, sidomos nga vendet aziatike.