Driton Kuka: Dy medalje janë sukses i madh

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka ka vlerësuar lartë suksesin e arritur në Grand Slamin e Budapestit, që përfundoi të dielën. Të premten medalje të artë fitoi Distria Krasniqi në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa të dielën Loriana Kuka fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 78 kilogramë.

Me këtë garë është shënuar rikthimi i ngjarjeve me peshë të xhudos.

“Dy medalje janë sukses i madh”, ka thënë Driton Kuka për KOHËN, të dielën mbrëma.

“Grand Slami ishte shumë i fortë. Distria ishte brilante kurse Loriana pas plot 12 muaj pa gara është kthyer fuqishëm. Ajo gjithashtu ka kaluar një lëndim. Edhe Akil Gjakova e Nora Gjakova me më shumë fat do të vinin te medaljet”, ka shtuar Kuka.

Pa medalje kanë mbetur edhe Laura Fazliu, Flaka Loxha dhe japonezi i natyralizuar Shigeki Nakamura.

“Garuesit tjerë duhet të pjekën për këtë nivel. Laura e Flaka duhet të kenë qasje pak më profesionale për medalje në gara të tilla”, vlerëson Kuka.