Drita

Drita vazhdon me formë të lartë, mposht me lehtësi Dukagjinin

Drita ka vazhduar me fitore, teksa ka marrë të tretën radhazi në elitën e futbollit kosovar.

Gjilanasit para adhuruesve të vet kanë mposhtur Dukagjinin e Klinës me rezultat të pastër 2-0.

Vendasit kishin iniciativën në pjesën e parë duke tentuar me Dabiqajn, Baftiun e Ebukan, por pa sukses.

Derisa në anën tjetër klinasit krijuan një rast të mirë shënimi, por goditja e Morinës u ndal nga shtylla.

Me rezultatin e bardhë 0-0 u mbyllën 45 minutat e para të kësaj sfide.

Në pjesën e dytë Drita shtoi ofensivën, derisa zëvendësuesi Raddy Ovouka në minutën e 56-të realizoi një gol spektakolar për 1-0.

Drita fitoren e siguroi në minutën e 71-të, kur Samson Obioha realizoi golin e parë me fanellën e Dritës për 2-0.

Deri në fund më gola nuk pati dhe Drita arkëtoi tre pikët e radhës.

Me këtë fitore gjilanasit vazhdon të jetë në pozitën e tretë, por tani me 43 pikë, dy më pak se lideri Ballkani. Ndërkohë Dukagjini është e gjashta në tabelë me 30 pikë.