Drita rikthehet te fitoret, mposht Llapin me rezultat të pastër

Drita është rikthyer te fitoret pasi ka mposhtur para tifozëve të vet Llapin me rezultat të pastër 2-0.

Drita e nisi më mirë ndeshjen, kur vetëm pas shtatë minutave lojë realizuan me Ardit Tahirin, por që goli i tij u anulua shkaku pozitës jashtë loje.

Vendasit patën më shumë në pjesën e parë duke krijuar disa raste me Baftiu, Ajzerajn e Tahirin, por pa arritur cakun.

Në anën tjetër mysafirët rrezikuan me Prognin e Alidemën, por pa arritur të tundin portën e vendasve.

Kësisoj 45 minutat e para të kësaj sfide u mbyllën ashtu siç filluan me rezultatin e bardhë 0-0.

Edhe pjesa e dytë nisi më mirë për vendasit, kur në minutën e 47-të kaluan në epërsi 1-0.

Një harkim i bukur në zonë nga Ilir Blaçori bëri që Kushtrim Shabani i mysafirëve ta dërgonte gabimisht topin në portën e tij duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij.

Llapi kishte disa raste të mira në fund të ndeshjes, por për pak sa nuk barazuan rezultatin.

Gjithsesi për rezultatin përfundimtar u përkujdes Almir Ajzeraj që realizoi për 2-0 në minutën e 92-të.

Drita vazhdon në pozitën e dytë me 47 pikë, derisa Llapi mbetet në pozitën e pestë me 29 sosh.

Në xhiron e ardhshme Drita do të përballet në derbin e javës në udhëtim te Ballkani, derisa Llapi luan sërish në udhëtim ku përballet me Ferizajn.