Drita rigjen fitoren, e mposht Arbërinë – Drenica fiton ndaj Trepçës ‘89

Drita e ka rigjetur rrugën e fitores pas tri ndeshjeve, duke e mundur 3:1 Arbërinë në udhëtim, ndërkohë që Drenica ka fituar ndaj Trepçës ’89 në duelin e skuadrave të pjesën së poshtme të tabelës në Superligë.

Drita dhe Drenica kanë shënuar fitore ndaj Arbërisë dhe Trepçës ’89, përkatësisht, në dy ndeshjet e javës së 27-të në Superligë të shtunën.

Kampionia në fuqi e Superligës Drita, e cila po vinte nga dy barazime zhgënjyese në dy ndeshjet e fundit, fitoi pa mund të madh ndaj Arbërisë në Podujevë.

Arbëria e kishte zënë në befasi skuadrën gjilanase, duke kaluar në epërsi pas vetëm 23 minutave lojë. Dior Zabërgja shënoi nga afërsia për ta thyer akullin.

Por Drita u rikthye në lojë vetëm pesë minuta më vonë, kur Festim Alidema e barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 27-të.

Prisetley e kaloi Dritën në epërsi në minutën e 33-të, ndërsa Betim Haxhimusa e vulosi fitoren e kampiones në fuqi në minutën e 63-të.

Drita e rimerr edhe kreun e Superligës me 58 pikë pas 27 ndeshjeve, tri më shumë se Ballkani, i cili e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Arbëria ngel në vendin e parafundit me 27 pikë, tri larg zonës së shpëtimit, aty ku është Drenica me 30 pikë falë fitores ndaj mitrovicasve.