Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës U-21, Lirim Kastrati, pretendoi se Drita i kishte thënë se s’mund të luajë për ta pasi që nuk është mjaftueshëm i mirë.

Klubi gjilanas e ka mohuar këtë lajm, duke e kritikuar futbollistin për deklaratën e tij.

Lirim Kastrati, i cili ka shkëlqyer për Lokomotiva Zagrebin gjatë sezonit 2018/19 dhe për ekipin kombëtar të Kosovës U-21 në ndeshjet e qershorit, tha dje se Dritës nuk iu ishte dukur mjaftueshëm i mirë në prova.

“Isha për dy javë stërvitje te Drita në fazë përgatitore, por nuk iu jam dukur lojtar i mirë. Drita më tha se s’mund të luash këtu”, theksoi Kastrati në Interaktiv të KTV-së.

Megjithatë, këtë pretendim të Kastratit e ka mohuar klubi gjilanas përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Duke ditur që klubi jonë FC DRITA nuk është idhëtare të reagoj për qdo thashethëm që e lakon emrin e klubit tonë, nuk kemi mundur të qëndrojmë duarkryq ndaj deklaratës së lojtarit të kombëtares U-21, Lirim Kastrati i cili në një medium ka deklaruar që ka qenë i grumbulluar me klubin tonë në fazë përgaditore për dy javë!”, shkruan Drita në Facebook”

“Dëshirojmë që ta njoftojmë të gjithë opinionin futbolldashës se Lirim Kastrati nuk ka qenë asnjëherë i grumbulluar me klubin tonë as për një ditë të vetme dhe se deklarimet e tij janë tejet joprofesionale dhe të pamatura nga Lirimi”

“FC DRITA i gëzohet qdo suksese të kombëtareve tona dhe çdo suksesi individual të djemve tanë, por asnjëherë nuk i pranon shpifjet nga lojtarët të cilët tentojnë të dëmtojnë imazhin e klubit tonë!”.

“Klubi jonë i bënë thirrje të gjithë futbollistëve të rinjë që ti kushtojnë rëndësi deklaratve publike sepse deklarata të tilla mund të ndikojnë keq në uljen e reputacionit të një sportsiti”.

“Klubi jonë i uron shumë suksese Lirimit, ndërsa në fushen e komunikimit e këshillon të përmisohet shumë më shumë!”.