Dukagjini e ka shënuar fitoren e parë këtë sezon në Superligën e Kosovës në futboll.

Ekipi nga Klina e ka mposhtur Dritën me përmbysje 2:1, në kuadër të javës së shtatë të elitës së futbollit kosovar.

Për Dritën ishte humbja e dytë rresht.

Drita kaloi e para në epërsi me golin e Almir Ajzerajt në minutën e 39-të.

Klinasit barazuan rezultatin në fillim të pjesës së dytë me Ahmed Januzin (49’), i cili realizoi me kokë.

Dukagjini mbeti me dhjetë lojtarë në fushë nga minuta e 60-të, pas përjashtimit me karton të kuq të Elton Basriut. Mbrojtësi nga Shqipëria u përjashtua me rishikimit të VAR-it.

Edhe përkundër një lojtari më pak në fushë, Dukagjini ia doli që të shënojë në minutën e 87-të.

Zëvendësuesi Henry Chibueze shfrytëzoi gabimin e Përparim Islamit dhe realizoi nga afërsia për t’ia siguruar tri pikë klinasve.

Me gjashtë pikë, Dukagjini renditet në vendin e tetë. Derisa Drita ka 11 pikë dhe zë vendin e pestë.