Drita forcon pozitën e para, Vushtrria ia prish planet Trepçës ’89

Trepça ’89 ka bërë një hap të madh prapa në luftën për mbijetesë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.

“Xehetarët “nuk kanë arritur më shumë se një barazim kundër Vushtrrisë, ekip që tashmë është anëtar i Ligës së Parë. Ndeshja e luajtur në “Riza Lushta” të Mitrovicës të enjten pasdite , ka përfunduar me rezultatin 1:1. Ky takim i ka takuar xhiros së 29-të të Superligës.

Drilon Fazliu (78’) e kaloi Vushtrrinë në epërsi përpara se sulmuesi Arb Manaj në minutën e gjashtë të kohës shtesë të shënonte golin e barazimit për vendasit. Me këtë barazim, Trepça ’89 ka mbetur në pozitën e nëntë në tabelë me 35 pikë, e cila pozitë dërgon në një rang më të ulët garash.

Skuadra tjetër që po lufton për mbetje në elitë, Flamurtari, ka triumfuar, ashtu si pritej, në shtëpi ndaj Dukagjinit me rezultatin 4:3. Kjo fitore e ngritë Flamurtarin në pozitën e gjashtë në tabelë me 40 pikë të mbledhura.

Ndërkohë Drita ka forcuar edhe më shumë pozitën e parë, pas fitores që e regjistroi në shtëpi kundër Feronikelit (2:1). Me këtë fitore Drita ka tubuar 64 pikë duke lënë Ballkanin në pozitën e dytë me pesë pikë më pak. Erjon Vucaj (35’) e Fidan Gërbeshi (67’) nga penalltia ishin shënues te Drita derisa golin e nderit për Niklin e realizoi Besmir Bojku (55’).