Drita fiton me vështirësi ndaj Malishevës, Gjilani barazon në Klinë, Llapi mund pastër Feronikelin

Janë mbyllur tri ndeshjet e sotme në kuadër të elitës së futbollit kosovar.

Në Gjilan, Klinë dhe Drenas u hap sot java e 12-të në Superligën e Kosovës me tri ndeshje interesante.

Drita e Gjilanit e ka realizuar një fitore tejet të vështirë dhe të rëndësishme sot ndaj Malishevës.

Me autogolin e Hotit (’14), skuadra e Ardian Nuhiut ka arkëtuar pikë të plota nga kjo ndeshje.

Në anën tjetër, në Klinë, Dukagjini dhe Gjilani janë ndarë në paqe 1:1.

Ahmed Januzi (’34) shënoi fillimisht për vendasit, teksa për gjilanasit realizoi Gerhard Progni në minutën e 86-të.

Dhe për fund, Llapi ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim te Feronikeli 0:2.

Rivera (’39) dhe Veliu (’62) i shënuan golat e fitores sot për skuadrën e Tahir Batatinës.