Viti i klubeve kosovare

Drita, dominuesja e vitit 2018-të në futbollin kosovar

Drita ka qenë protagonistja kryesore e futbollit kosovar gjatë vitit 2018-të, teksa është shpallur kampion i Superligës për herë të dytë në histori të klubit, ndërsa ka triumfuar edhe në Super Kupën e Kosovës duke e mposhtur Prishtinën në të dyja rastet.

Superliga e sezonit të kaluar ishte një garë dyshe mes Dritës dhe Prishtinës që rivalizuan me njëra-tjetrën deri në javën e fundit të kampionatit, gjersa barazimi pa gola ndaj kryeqytetasve në xhiron e fundit i siguroi titullin kampion skuadrës gjilanase, që e përfundoi sezonin me 67 pikë, 3 më shumë se Prishtina. Ndeshja vendimtare u zhvillua në Pejë për shkak se stadiumi i Prishtinës nuk ishte ende gati, kurse në “Shahin Haxhiislami” të pranishëm ishin 4 mijë tifozë kryesisht të Prishtinës, derisa në numër të vogël prezent ishin edhe “Intelektualët”. Në këtë mënyrë, Drita i dha fund pritjes 15 vjeçare për t’u shpallur kampion i Kosovës, ndërsa për herë të fundit në Superligë kishte triumfuar në sezonin 2002-03.

Pas vetëm 22 ditëve, Drita mësoi kundërshtarët e saj në arenën evropiane, derisa kampionët e Kosovës aventurën e tyre në Champions League do ta nisnin nga faza preliminare bashkë me kampionët e Andorrës, Gjibraltarit dhe San Marinos. Drita fillimisht u shortua të përballej me Santa Coloman, kampionen e Andorrës, skuadër të cilën gjilanasit e eliminuan me rezultat 2-0 pas 120 minutave lojë. Hapi i fundit për Dritën ishte ndeshja finale e këtij mini turneu, që u zhvillua në Gjibraltar përballë kampionit të këtij vendi, Red Lincoln Imps. Edhe në këtë përbalje, Dritës iu deshën vazhdimet, takim në të cilin edhe pse vuajti në fund arriti ta fitojë me spektakël, me rezultatin final që shënonte shifrat 4-1.

Me këtë sukses, Drita arriti të sigurojë fazën e eliminatoreve të Champions Leagues, njëhrish kjo ishte arritja më e madhe e klubeve kosovare në arenën ndërkombëtare, por shorti nuk u tregua bujar me dy herë kampionët e Kosovës, që do të përballeshin me gjigantin suedez, Malmon. Përballjet e dyfishta me kampionin e Suedisë nuk kishin histori, me Dritën që u dorëzua pa kushte përballë forcës së Malmos. Takimi i parë i zhvilluar në Mitrovicë përfundoi me fitoren e thellë 0-3 të suedezëve, ndërsa në ndeshjen e revanshit Drita u mposht 2-0.

Megjithatë aventura evropiane për Dritën nuk kishte përfunduar, pasi që garat do t’i vazhdonte në Europa League. Kundërshtari i parë në letër ishte i kalueshëm, gjersa Drita sfidohej nga përfaqësuesi i Luksemburgut, Dudelange. Ballafaqimi i parë i luajtur në Luksemburg u përmbyll me fitoren 2-1 të Dudelanges, që përmbysi avantazhin fillestar të Dritës. Sidoqoftë ky rezultat ishte pozitiv për Dritën, që në ndeshjen e kthimit do të mjaftohej edhe me një fitore 1-0. Sidoqoftë nuk ishte e thënë që Drita të kualifikohej për rundin tjetër të Europa Leagues, duke mos shkuar më shumë se barazimi 1-1 në Mitrovicë ndaj Dudelanges, ndërsa mungesa e eksperiencës rëndoi shumë në epilogun e aventurës evropiane të kampionit të Kosovës.

Përkundër eliminimit nga kompeticionet evropiane, sukseset për Dritën nuk do të mbaronin. Gjilanasit triufmuan në Super Kupën e Kosovës ndaj Prishtinës, në ndeshjen e parë zyrtare në stadiumin “Fadil Vokrri”, i emëruar kësisoj në nderim të legjendës së futbollit kosovar. Ndryshe nga ndeshja e zhviluar 3 muaj më parë në Pejë, në “Fadil Vokrri” pati një atmosferë elektrizuese e krijuar nga tifozeritë e të dyja klubeve që kishin mbushur tërë stadiumin, që ka kapicitet prej rreth 13 mijë ulëseve. Pavarësisht se u ndodh në disavantazh në pjesën e parë dhe u rrezikua në shumë raste nga zbritjet e Prishtinës, Drita arriti të përmbys gjithçka në pjesën e dytë, duke fituar në fund 2-1 dhe duke arritur trofeun e parë të Super Kupës.

Në anën tjetër Prishtina vitin 2018-të e përmbylli me një trofe të fituar, teksa kryeqytetasit mposhtën Vëllaznimin në finalen e Kupës së Kosovës. Kryeqytetasit, zhgënjimin për humbjen e titullit në javën e fundit, e zbutën me suksesin ndaj gjakovarëve që erdhi vetëm pas ekzekutimit të penalltive. Ky ishte trofeu i parë për trajnerin Mirel Josa që në shtator të 2017-ës mori drejtimin e klubit më të titulluar në Kosovë.

Menjëherë pas triumfit në Kupën e Kosovës, Prishtina e mësoi kundërshtarin në fazën preliminare të Europa Leagues, gjersa përballë do të kishte skuadrën nga Gjibraltari, Europa FC. Takimi i parë i zhvilluar në Gjbraltar përfundoi në barazim 1-1, ndërsa në ndeshjen e kthimit, Prishtina dhuroi spektakël në Mitrovicë, duke mposhtur Europan 6-0.

Në ballafaqimin e parë të vlefshëm për eliminatoret e Europa League, Prishtina për kundërshtar kishte skuadrën luksemburgase, Fola Esch, me të cilët në udhëtim u nda në barazim pa gola. Rezultat mëse pozitiv për skuadrën e Josës, që kishte shpresa të mëdha për ndeshjen e kthimit. Sidoqoftë edhe 90 minutat e dyta nuk prodhuan gola, duke çuar përballjen në vazhdime, në të cilat sërish nuk kishte gola. Edhe pse portieri i Prishtinës, Visar Bekaj priti 3 penallti, në fund kryeqytetasit u eliminuan nga kompeticioni evropian që në rundin e parë eliminator. /Ballkani.info/