Drita dhe Llapi

Drita dhe Llapi ndajnë pikët

Drita dhe Llapi kanë luajtur baras 0:0 të shtunën në kuadër të xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në futboll.

Në një ndeshje me shumë raste shënimi asnjëra nga skuadrat nuk arriti të marrë pikët e plota nga kjo përballje.

Ekipi i drejtuar nga trajneri, Ardian Nuhiu kishte më shumë nga loja por nuk arriti të gjente cakun.

Pjesa e parë u dominua nga vendasit të cilët rrezikuan me Almir Ajzerajn, Muharrem Jasharin dhe Ardit Tahirin por pa sukses.

Te Llapi në mundësi të mirë shënimi ishte Festim Alidema.

Edhe pjesa e dytë ishte e ngjashme me raste shënimi. Në minutën e 58-të gjyqtari kryesor i ndeshjes Vigan Ibërdemaj ndëshkoi me karton të kuq portierin e Llapit, Marjan Çoriqin, por pas rishikimit me VAR, vendosi për karton të verdh.

Në minutën e 83-të llapjanët kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Adem Maliqi. Por edhe kësaj radhe gjyqtari Ibërdemaj pas rishikimit të VAR-it anuloi golin e mysafirëve.

Pas këtij vendimi të gjyqtarit kryesor trajneri i Llapit, Tahir Batatina protestoi ashpër duke u ndëshkuar me karton të kuq.

Në minutat shtesë të ndeshjes me kartonin e dytë të verdh dhe të kuqin u përjashtua kapiteni, Bujar Idrizi.

Deri në fund të ndeshjes vendasit tentuan të rrezikonin por pa sukses.