2-3

Drilon Hazrollaj magjik me tre gola, Malisheva mposht Gjilanin me përmbysje

Malisheva ka marrë fitore të madh me rikthim ndaj Gjilanit 2-3 falë një paraqitje spektakolare nga Drilon Hazrollaj që realizoi tre gola.

Ndeshja nisi shumë mirë për skuadrën vendase, që pas nëntë minutave lojë kaluan në epërsi me golin e Jarovic.

Megjithatë epërsia e Gjilanit nuk zgjati më shumë se 10 minuta, kur Drilon Hazrollaj barazoi shifrat në 1-1 pas asistimit nga Arlind Veliu.

Malisheva fitoi penallti pesë minuta para fundit të pjesës së parë, kur Donaldo Ackaj luajti me dorë brenda zonës.

Drilon Hazrollaj ishte i saktë nga pika e bardhë për t’i dhënë epërsinë malishevasve 1-2.

Në pjesën e dytë Gjilani u hodh në sulm me të gjitha forcat dhe gjeti golin e barazimit 15 minuta para fundit të ndeshjes.

Kushtrim Shabani u gjet bukur në zonë dhe nga afërsia realizoi për 2-2.

Megjithatë katër minuta para fundit të ndeshjes, Drilon Hazrollaj doli sërish në skenë, duke shënuar për ta kompletuar het-trikun dhe për t’i dhënë tre pikë Malishevës.

Me këtë fitore Malisheva blindon pozitën e katërt me 41 pikë, dy më pak se Drita në vendin e tretë dhe shtatë më pak se lideri Ballkani.

Ndërkohë Gjilani mbetet në pozitën e tetë me vetëm 22 pikë pas 23 xhiroeve.

Ndeshjen e radhës Gjilani do ta ketë shumë të vështirë, pasi luan në udhëtim te Llapi, derisa Malisheva përballet sërish jashtë shtëpisë së saj, ku luan në Suharekë ndaj Ballkanit.