FC Drenica ka fituar trofeun e turneut tradicional, të 15-të me radhë, “Adem Jashari” në futsall.
Edhe sivjet ky turne u organizua në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj nga Federata e Futbollit e Kosovës përmes Komisionit për Futsall, në kuadër të shënimit të Epopesë së UÇK-së.
Në ndeshjen finale Drenica e mundi Mabetex Prishtinën, pas serisë së penalltive, ngase ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras 1:1.
Paraprakisht në gjysmëfinale, kuqezinjtë e Skenderajt kishin mundur Liqenin e Drenasit. I pranishëm në ndeshjen finale ishte presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili edhe ndau trofeun për fituesin e këtij turneu.
“Isha në Skenderaj, në turneun e futsallit “Adem Jashari” të organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, në kuadër të shënimit të “Epopesë së UÇK-së.
Pas një finale të emocionuar dhe të barabartë, ekipi i Drenicës fitoi pas penalltive ndaj Mabetex Prishtinës.
Vazhdojmë të mbajmë gjallë shpirtin e luftës dhe të sakrificës së heronjve tanë në rrugën drejt një të ardhmeje të ndritur”, ka shkruar Agim Ademi. /Ballkani.info








