Drejtuesit e KOK-ut pritën kryetarin e Federatës për Kajakim të Francës

Drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, kanë pritur kryetarin e Federatës për Kajakim të Francës, Jean Zoungrana, njëherit nënpresident i Komitetit Olimpik të Francës.

Të pranishëm në takim ishin edhe drejtuesit e Federatës për Kajakim të Kosovës (FKKS), me kryetarin Visar Emini.

Kryetari Zoungrana është kandidat për postin e presidentit të Federatës Evropiane të Kajakimit (ECA), ku në fund të këtij muaji do të mbahet Asambleja Zgjedhore.

Presidenti Krasniqi, duke i uruar suksese në kandidaturën e tij, i shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e KOK-ut për zhvillimin e mëtutjeshëm të sportit të kajakimit në vendin tonë.

Po ashtu, i pari i KOK-ut, i kërkoi Zoungranas përkrahjen e tij dhe të Federatës së Kajakimit të Francës në avancimin e kajakimit në Kosovë.

Nga ana e tij, kryetari Zoungrana shprehu falënderimin për pritjen, duke premtuar bashkëpunim të frytshëm si me KOK-un ashtu edhe me FKKS-në.

Palët biseduan edhe për çështje të tjera të bashkëpunimit, edhe mes dy Komiteteve Olimpike, të cilat në janar të këtij viti në zyret e KOK-ut, nënshkruan memorandum të bashkëpunimit.