Drejtuesit e burgut të Shutkës konfirmojnë rrahjen e dy ish-ministrave maqedonas

Nga Drejtoria e burgut hulumtues “Shkupi” në Shutkë e konfirmuan për MIA-n incidentin e sotëm në të cilin ishin të involvuar ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski.

Autoritetet e burgut i dënojnë ashpër incidentet e këtilla verbale dhe fizike dhe porosisin se dhuna nuk do të tolerohet dhe se do të sanksionohet.

“Më 21 shkurt 2019 rreth orës 13 gjatë shëtitjes së rregullt të të arrestuarve ka ndodhur një incident verbal i shkaktuar nga personi S.R. ndaj personit L.K., i cili më vonë ka kaluar në përleshje fizike të lehtë, e cila është ndërprerë menjëherë nga shërbimet e burgut. Rreth orës 13:45 sërish gjatë shëtitjes së rregullt të të arrestuarve ka ndodhur një incident tjetër verbal, i shkaktuar nga personi M.J. ndaj personit E.K, i cili më vonë ka kaluar në përleshje fizike, e cila është ndërprerë menjëherë nga shërbimet e burgut. Për dy incidentet janë mbledhur deklarata me shkrim nga dëshmitarët okularë dhe është njoftuar gjykata kompetente”, thonë nga burgu “Shkupi”.

Pas incidentit personave S.R. dhe M.J. menjëherë u janë siguruar kontrolle dhe kujdes përkatës nga mjeku i burgut, ndërsa pastaj personi S.R. nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore shtesë. Personi M.J. është ankuar se ka dhimbje, për ç’arsye është dërguar në spitalin “8 Shtatori”.

Nga Gjykata Themelore e Shkupit gjithashtu për MIA-n konfirmuan se sot ka ndodhur incident fizik në burgun “Shkupi” në Shutkë, por më shumë hollësi për pjesëmarrësit nuk komunikuan.

Disa media sot publikuan se në përleshjen fizike janë lënduar Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, të cilëve mbrëmë u është caktuar masë arresti 30-ditorë lidhur me ngjarjet në Kuvend më “27 prill”. Gjithashtu, informatat e para ishin se dy ish-ministrat janë rrahur nga një i burgosur – pjesëtar i “Grupit të Kumanovës”.