Drejtori sportiv i Romës: “Ka përfunduar çdo gjë, Barella ka zgjedhur Interin e Contes”

Barella nuk dëshiron t’i bashkohet Romës, por Interit të Antoni Contes.

Ditë më parë, presidenti i Cagliarit, Tommaso Giulini, konfirmoi se Roma ka bërë ofertë më të mirë se Interi për Niccoló Barellan dhe se ishte arritur edhe marrëveshja mes klubeve për 22-vjeçarin.

Ai tha të hënën “kemi arritur marrëveshje me Romën për Barellan, atë bën ofertë më të mirë se Interi. Niccoló do të ketë më shumë kohë për të vendosur”.

Por, duket se Niccolo kishte vendosur dhe skuadra ku dëshiron të luajë është Interi, e jo Roma.

Gjithçka tani ka konfirmuar drejtori i ri sportiv i Romës, Gianluca Petrachi.

“Barella s’do t’i bashkohet Romës. Ai ka vendosur t’i bashkohet Antonio Contes te Interi. Gara ka marrë fund”, tha Petrachi.

Mesfushori 22-vjeçar ka bërë 38 paraqitje sezonin e kaluar me Cagliarin dhe ka shënuar 1 gol, derisa ka dhuruar edhe 4 asiste. Ai ka bërë deri më tani edhe 7 paraqitje për ekipin A të Italisë.