Drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, thotë se kthimi i mesfushorit të Manchester United, Paul Pogba, te kampionët e Serie A është shumë i vështirë për t’u parashikuar.
Ndërkombëtari i Francës ka qenë vazhdimisht i lidhur me rifillimin e karrierës së tij në stadiumin “Allianz”, që nga largimi drejt “Old Trafford” në vitin 2016 për shumën e 89 milionë stërlinave (114 milionë dollarë).
Në të vërtetë, rikthimi i Pogba në Itali u duk i pashmangshëm në fillim të këtij sezoni, në mes të një serie mosmarrëveshjesh e përplasjesh publike me Jose Mourinhon. Megjithatë, shkarkimi i trajnerit portugez dhe emërimi i Ole Gunnar Solskjaer ka qenë katalizatori i kthimit të 25-vjeçarit në formë. Mediat tashmë raportojnë se ai dëshiron të nënshkruajë një kontratë të re me “Djajtë e Kuq”.
Për pasojë, hierarkia drejtuese e Juventusit duket se i ka braktisur planet për ta kthyer Pogba në Torino. Paratici i tha “Gazzetta dello Sport”: A do të kthehet Pogba te Juventusi? Në futboll, ti nuk e di çfarë do të ndodhë, por mendoj se është shumë e vështirë”.
Në qendër të vëmendjes së Juventusit, me heqjen dorë nga Pogba, është ndjekja e James Rodriguez, i cili pritet të largohet nga Bayern Munich, ku është aktualisht i huazuar. Klubi që posedon kartonin e klumbianit, Real Madridi, ka të ngjarë ta largojë atë, por pavarësisht raporteve të kundërta mediatike, Juventusi nuk duket i gatshëm të bëjë një ofertë konkrete:
“Ai është sigurisht një lojtar i madh, duhet ta shohim situatën, – tha Paratici për 27-vjeçarin. – Përmirësimi i një skuadre si e jona nuk është e lehtë. Për të përmirësuar një repart ku luajnë Paulo Dybala, Douglas Costa, Juan Cuadrado dhe Federico Bernardeschi është me të vërtetë e vështirë”.
Juventusi, gjithashtu, mendohet të jetë më i interesuari për të nënshkruar me Matthijs de Ligt, mbrojtësin e Ajax, këtë verë, pavarësisht nga interesimi i Manchester City dhe Barcelonës. Në këtë pikë, Paratici shtoi: “De Ligt është sigurisht një nga lojtarët më të mirë të rinj dhe po e ndjekim me vëmendje të madhe”.







