Drejtori sportiv i Barcelonës, Pep Segura e pranoi se Neymar bëri një gabim kur u largua nga Barcelona por shtoi se dera për rikthimin e tij në të ardhmen është e hapur.

Neymar iu bashkua Paris Saint Germainit verën e vitit 2017 për shumën rekord 222 milionë euro, ndërsa që nga ajo kohë është lidhur vazhdimisht me një largim nga kryeqyteti francez në mesin e skuadrave të përmendura edhe rivali kryesor i Barcelonës, Real Madridi.

Neymar ka pasur disa mosmarrëveshje edhe me bashkëlojtarin e tij te PSG-ja, Edinson Cavani kurse ka mbetur edhe nën hijen e Kylian Mbappes.

Segura ka thënë se të gjithë lojtarët që janë në treg mund t’i interesojnë Barcelonës dhe këtu nuk bën përjashtim as Neymari.

“Sot Neymar nuk është në shitje. Nëse një ditë ekziston mundësia, mendoni se Barcelona nuk do ta konsideronte transferimin? Por ne nuk duhet ta harrojmë fyerjen që na ka bërë ai neve si klub. Sidoqoftë nëse besojmë se është Neymar futbollisti që na nevojitet, atëherë do të ishte ai lojtari i transferuar. Dhe në fund sigurisht janë të rëndësishëm edhe termat ekonomik”, theksoi drejtori sportiv i “Blaugranave”.

Neymar është aktivizuar te Barcelona për 4 sezone gjatë të cilave ka realizuar 105 gola në 186 paraqitje.