Drejtori i Spitalit jep detaje: 8 nga të lënduarit dërgohen në Prishtinë, 4 në gjendje shumë të rëndë

Një bombol e gazit ka shpërthyer sot në një restorant në Ferizaj, ku si pasojë dhjetëra persona janë lënduar.

Drejtori i Spitalit të Ferizajit, Jeton Zeqiri, ka thënë se 24 pacientë kanë kërkuar trajtim në këtë spital si pasojë e shpërthimit që ka ndodhur, derisa 8 persona janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ai ka thënë se 4 prej pacientëve të cilët janë dërguar në QKUK janë në gjendje më të rëndë shëndetësore për shkak të djegieve që kanë pësuar.

“24 pacientë kanë ardhur në spital për shkak të shpërthimit të një bombole. 8 prej tyre janë dërguar në QKUK me djegie të shkallës së lartë, 4 prej tyre në bazë të ekzaminimit janë shumë të rrezikuar për jete, ndërsa 12 pacientë janë duke u trajtuar në spital. Ne jemi mobilizuar menjëherë për trajtimin e këtyre pacientëve”, ka thënë ai për Express.

Zeqiri është shprehur se gjendja e pacientëve të cilët po trajtohen në këtë spital është stabile.