Gazmend Hoxha

Drejtori i Policisë së Kosovës: Sulmuesit e tjerë janë larguar në këmbë nga hapësirat e Manastirit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se personat e tjerë të dyshuar për sulmin e së dielës në Banjskë të Zveçanit, të cilët nuk janë neutralizuar e as arrestuar, kanë arritur të largohen në këmbë nga hapësirat brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës, ku po qëndronin rreth 30 të tillë.

Në konferencën për media të mbajtur nga Kampi Belvedere ku janë ekspozuar të gjitha armët e konfiskuara nga ky rast, Hoxha ka thënë se sulmuesit i kanë lënë prapa automjetet e tyre të përodrura me qëllim të sulmeve terroriste ndaj Policisë së Kosovës.

“Personat tjerë të dyshuar, që bazuar në pamjet e siguruara mund të ishin rreth 30 persona, kanë arritur që të largoheshin në këmbë nga hapësirat brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës, duke lënë prapa automjetet e tyre, që gjatë ekzaminimit në vendin e ngjarjes rezulton të jenë 24 automjete, një mjet i blinduar si dhe dy motorë me katër rrota”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky është operacioni më i madh dhe më i rëndësishëm që nga paslufta për institucionin të cilin e drejton.

Hoxha ka treguar se gjatë këtij operacioni janë gjetur:

1 veturë e rëndë e blinduar

Vetura xhip – 24 copë,

Motorë 4×4 – 2 copë

Mina kundër këmbësorisë – 8 copë,

Zolla të mbushura – 29 copë

Zolla të përdorura – 7 copë

Predha minahedhësish

Eksploziv dinamit – 150 copë

Armë e gjatë mitraloz – 6 copë

Antiplumba – 21

Dronë – 3 copë

Dylbi nate – 15

Radiolidhje – 32 copë

Uniforma ushtarake – 115

Harta nga sateliti – 6 copë

Harta topografike – 3 copë

Maska – 23

Sopata – 8

Ushqime të shumta, medikamente mjekësore, telefona smart – 32 copë, sim kartela – 32 copë dhe kartëmonedha në euro prej dinarëve të Serbisë – 1800 kartëmonedha.