Drejtori i Policisë për liturgjinë në kishën në oborrin e UP-së: Nuk kemi qenë të njoftuar fare

Para pesë ditësh u mbajt një liturgji nga peshkopi Teodosije i Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit në Kishën që gjendet në kampusin e Universitetit të Prishtinës.

Për këtë çështje është pyetur drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti i cili ka thënë se nuk kanë qenë të njoftuar për mbajtjen e këtij aktiviteti kishtar.

“Nuk kemi qenë të njoftuar fare që do të mbahet ndonjë aktivitet kishtar. Policia nuk e ka në listën e objekteve që i siguron 24 oë (kishën që ndodhet në objektin e UP-së. Ne nuk kemi pas asnjë njohuri që në këtë objekt, apo vend do të mbahet një liturgji”, ka thënë ai.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka thënë se Qeveria nuk do të lejojë më aktivitete të tilla, përkundër faktit që sot gjatë ditës nuk pati reagim.

Kthimi i serbëve në kishën e papërfunduar që ndodhet në oborrin e Kampusit Universitar të Prishtinës, për herë të parë pas vitit 1998, ngjalli reagime të shumta sidomos te partitë opozitare.