Drejtori i Policisë flet për herë të parë për rastin e dhunës mbi të miturin në stacionin policor

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka folur për herë të parë rreth ngjarjës së paprecedentë që ishte publikuar disa javë më parë në media, e kishte ndodhur disa vjet më parë, kur një polic brenda stacionit të policisë kishte ushtruar dhunë mbi një të mitur.

Videoja që ishte bërë virale pati nxitur reagime të shumta nga i gjithë opinioni publik, derisa për shumë njerëz, organi më i lartë që përkujdeset për sigurinë e qytetarëve, pra policia ishte kthyer në organ në të cilin u zbeh besimi pas këtijë rasti, shkruan Ballkani.info.

E Mehmeti që atëbotë nuk ishte në pozitën që ushtron tash, thotë se kur ka parë videon është ndjerë jashtëzakonisht keq.

“Ajo është një sjellje që e dënojmë, dhe në asnjë mënyrë nuk e tolerojmë, përkundrazi e dënojmë shumë ashpër, ju e keni parë që policia ka bashkëpunuar që të zbardhet ky rast, dhe do të jetë i gatshëm për të gjitha rastet që të punojmë në zbardhjen e tyre”, tha Mehmeti në emisionin “Udhëve” të RTK-së, përcjell Ballkani.info.

Zyrtari policor, Haris Kelmendi u pati arrestuar nën dyshimin se gjatë vitit 2018, ka keqtrajtuar fizikisht një 18-vjeçar, në stacionin policor në Prishtinë. I njëjti e kishte incizuar momentin e keqtrajtimit.

Viktima e këtij rasti, Leotrim Rama, ka dëshmuar në Policinë e Kosovës, se zyrtari policor, Haris Kelmendi ka ushtruar presion  ndaj tij për ta ndryshuar deklaratën.

Haris Kelmendi u arrestua edhe me  28 janar nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, por i njëjti u lirua më pas.

Kujtojmë që në vitin 2021 ka pasur një numër të madhë të rasteve, ku zyrtarë policorë janë përfshirë në incidente, duke kaluar kompetencat e uniformës që bartin./Ballkani.info/