Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla është deklaruar rreth rritjes së rasteve të dhunës në familje gjatë kalimit të kohës në karantinë si pasojë e përhapjes s pandemisë Covid-19, për çka edhe duhet të fillojë lehtësimi i masave dhe rikthimi në gjendjen normale.

Syla tha sot se koronavirusi do të jetë i pranishëm për një kohë të gjatë dhe asnjëherë nuk ka qenë më e rëndësishme që qytetarët të sillen në mënyrë të përgjegjshme duke zbatuar masat mbrojtëse, madje edhe në këtë kohë kur në Europë po shënohet rënie e numrit të rasteve.

Syla përmendi edhe faktin për rritjen e dhunës në familje në shumë shtete, duke thënë se ka raste ku gratë kanë humbur jetën gjatë kësaj periudhe për shkak të dhunës në familje.

“Duhet të hapemi por me një normalitet të ri, me vëmendje e vigjilencë të shtuar”, tha Syla në RTV Dukagjini.

Duke folur për Bullgarinë, ku përfaqëson OBSH’në, tha atje nuk kanë pasur rritje eksponenciale dhe aktualisht ka një rënie të lehtë të rasteve por që është herët për të konstatuar se e kanë mundur virusin.

Ai tha se në Bullgari ishte shpallur gjendje shëndetësore emergjente, por nuk ka pasur masa të rrepta të ndalimit të lëvizjes, ndërsa personat janë vendosur në karantinë, por në shtëpitë e tyre.