Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendib e Serbisë, Milovan Drecun, ka thënë sot se KFOR-i nuk po i kontribuon stabilizimit të situatës dhe i ka bërë thirrje komandës së këtij misioni ushtarak të tregojë pse kanë ardhur mbrëmë në bazën në Mitrovicën e jugut 20 kamionë.
Drecun, i njohur për qëndrime të skajshme dhe jo rrallë shpifje ndaj Kosovës e shqiptarëve, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Tanjug ka dhënë alarmin për grumbullim të forcave dhe armatimit nga Prishtina në Mitrovicën e jugut, duke e vënë kështu veriun e Kosovës në një lloj rrethimi në trajtë patkoi, transmeton Ballkani.info.
“Sjellja e KFOR-it në kohën e fundit është interesante. Nuk mund të jemi të kënaqur sepse KFOR-i nuk po e përmbushë mandantin e tij”, ka thënë ai, duke shtuar se KFOR-i ka qenë i pranishëm kur serbët kanë protestuar paqësisht, por edhe kur njësia ROSU e armatosur rëndë ka hyrë në shtëpitë e serbëve.
Ai ka shtuar se ka muaj të tërë që KFOR-it dhe FSK-së po mbajnë ushtrime në Maqedoni, në poligonin Krivolak lidhur me teknikat luftarake, për reagim të shpejt, dislokim të shpejt të trupave.
“Shtrohet pyetja pse kjo po bëhet në Maqedoni, për çfarë po përgatiten ato forca dhe pse sërish tash komanda e KFOR-it nuk tregon se mbrëmë në bazën Bair njësitë speciale në Mitrovicën e Jugut kanë ardhur më shumë se 20 kamionë dhe në mëngjes janë kthyer pesë”, ka thënë Drecun. /Ballkani.info/







