Dreçun e pranon hapur: Aktakuza ndaj krerëve të UÇK-së u ngrit falë materialeve që mblodhi Serbia

I ashtuquajturi Kryetar i një komisioni të vetëquajtur “për Kosovën” në Parlamentin e Serbisë, Milovan Dreçun, në një njoftim të publikuar në uebsajt zyrtar, tha se para gjashtë vitesh ishte puna e këtij “komisioni” falë të të dhënave të së cilës është ngritur aktakuza në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Duke folur për kompetencat dhe punën e Komisionit për Kosovë, Drecun posaçërisht theksoi se gjashtë vjet më parë është formuar një Grup Punues për mbledhjen e fakteve dhe dëshmive në zbardhjen e krimeve kundër pjesëtarëve të popullit serb dhe komuniteteve tjera kombëtare në Kosovë, falë të dhënave të të cilit është ngritur aktakuza kundër Hashim Thaçit”, thuhet në njoftim.

Avokatët mbrojtës, të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë, kaherë janë shprehur se aktakuzat ndaj klientëve të tyre janë të bazuara në argumente dhe prova të falsifikuara dhe të mbjellura.

Gregory Kehoe, avokati i Hashim Thaçit, shprehej se “Serbia, duke qenë burimi i dokumenteve, ka fabrikuar prova, ka trilluar histori dhe ka mbjell akuza, siç është ajo për trafikimin e organeve, e cila as nuk është në aktakuzë”.

Kehoe raportin e Dick Marty-it në Këshillin e Evropën rreth krimeve të pretenduara të UÇK-së, e ka vlerësuar “në masë të madhe të bazuar në mijëra dokumente” që Dick Marty-it i janë dhënë nga autoritetet serbe në vitin 2009, duke cituar fjalët e ambasadorit serb në Zvicër, Millan Protiç.

Kehoe citoi fjalët e ambasadorit serb në një intervistë televizive ku thoshte se “po të mos kishte pasur dokumente nga Zyra e Prokurorit për Krime Lufte në Serbi, nuk do të kishte pasur raport të Marty-it”.

Avokati i Thaçit ka rikujtuar ngjarjet që u bënë së fundi publike nga intervista e Marty-it ku autoritetet serbe synuan vrasjen e Marty-it “si i vetmi dëshmitar që mund të qartësojë gjithçka” dhe për t’ua hedhur fajin shqiptarëve.

Ndërsa, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka thënë se “gjurmët e gishtërinjve serbë janë kudo nëpër provat mbi të cilat bazohet kjo aktakuzë”.

Emmerson rikujtoi se proceset gjyqësore në Tribunalin e Hagës ku e kishte mbrojtur Ramush Haradinaj, ishte konkluduar se “shërbimet e inteligjencës serbe qëllimisht kishin mbjellur prova të rreme”.

“Dhe mbi bazën e kësaj, do t’i përgënjeshtrojmë të gjitha pretendimet e paditësve”, ka thënë Emmerson. Madje mes tjerash, ai ka thënë se “prokuroria është manipuluar me vetë vullnetin e saj të lirë nga Shërbimi Informativ dhe i Sigurisë serbe (BIA)”.

Avokati i Veselit, veç asaj, tregoi edhe se “i vetmi dëshmitar që ka folur rreth gjoja heqjen e organeve, më vonë e ka pranuar që ka qenë gënjeshtër e tërësishme, dhe se inteligjencia serbe e kornizoi ta thotë atë”.

“Tani e dimë se ato akuza erdhën nga Serbia dhe ishin të fabrikuara. Asnjë nga këto akuza nuk u pranuan nga prokuroria”.

“Është tronditëse”, u shpreh avokati “që prokuroria u mbështetë në një kriminel të dënuar të luftës për të marrë informacione relevante për këtë proces gjyqësor”.

Andrew Young, avokati mbrojtës i të akuzuarit Rexhep Selimi pohoi se në falsifikimin e provave në të cilat bazohej raporti i Marty-it, përveç inteligjencës serbe, kanë marrë pjesë edhe shërbimet ruse.

Avokati mbrojtës kanë përmendur rastin e vrasjes së gjashtë të rinjve serbë në kafenenë Panda në Pejë në vitin 1998 si dëshmi se autoritetet serbe po vendosin disa herë prova të rreme deri më tani.

Avokati i Rexhepit deklaroi në konferencën e statusit të majit, se presidenti serb Aleksandër Vuçiç “zyrtarisht pranoi në emër të qeverisë serbe” se “agjentët e shërbimit sekret serb i vranë të rinjtë dhe fajësuan UÇK-në për këtë”.